Protestë para OKB-së: Hetim ndërkombëtar për Kumanovën!

Qindra shqiptarë protestuan në solidarizim me Kumanovën me moton kundër terrorit maqedonas ndaj vendbanimit shqiptar.

Lajme

17/05/2015 10:10

Në emër të Shoqatave shqiptare në Zvicër, Vaxhid Sejdiu u ka kërkuar institucioneve ndërkombëtare hetim të pavarur ndërkombëtar për ngjarjen e Kumanovës, si dhe ngjarjet e tjera të ndodhura në vendbanimet shqiptare.

Në përfundim të protestës paqësore, ata dorëzuan një letër OKB-së në Gjenevë, duke i kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-Moon, që të marrë masa urgjente për të ndaluar dhunën dhe terrorin e ushtruar nga forcat maqedonase mbi popullsinë shqiptare.

“Ne kërkojmë hapjen e një hetimi ndërkombëtar, për të ndëshkuar aktorët e dhunës dhe masakrës në Kumanovë. Prandaj, kërkojmë nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, për të marrë këtë çështje në dorë dhe për të sjellë para drejtësisë, para Gjykatës Ndërkombëtare të OKB-së në Hagë, autorët e krimeve të tilla kundër njerëzimit”,thuhet ndër të tjera në letrën e protestuesve shqiptarë.

Në paralajmërim të kësaj proteste, Vaxhid Sejdiu u shpreh një ditë më parë në “Facebook” se “urdhërdhënësit dhe aktorët në Masakrën e Kumanovës duhet të dënohen për krime kundër njerëzimit. Askush nuk ka të drejtë me forca policore, me mjete të blinduara të shkatërroj vendbanimet shqiptare”. /ATSH/