Kusari-Lila fton gjakovarët të mos bien pre e gënjeshtrave për “kidnapim” fëmijësh në Gjakovë

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se me shqetësim i ka përcjellë shpërndarjet virale në rrjetet sociale kinse për “kidnapime” fëmijësh në Gjakovë. Ajo i ka bërë thirrje qytetarëve të mos bijnë pre e kësaj lufte psikologjike.

Lajme

24/04/2015 23:56

Kusari-Lila ka thënë se deri më tash nuk ka asnjë fakt e as dëshmitarë me informata kredibile që është prezantuar para organeve të rendit në Gjakovë.

Lexoni më poshtë reagimin e saj të shkruar në Facebook lidhur me këtë çështje:

Të nderuar qytetarë të Komunës së Gjakovës, të dashur prindër, nxënës, fëmijë, të rinj dhe të reja,

Me brengosje të thellë po e përcjellim shpërndarjen virale në rrjetet sociale të kinse “kidnapimeve” të cilat kanë ndodh ose po vazhdojnë të ndodhin në Komunën tonë.

Deri më tani, asnjë FAKT apo dëshmitarë me informata kredibile nuk është prezantuar para organeve të rendit në Gjakovë.

Policia e Kosovës, Drejtoria në Gjakovë, janë në mobilizim të plotë duke e përcjellë situatën. Ata kanë ftuar në intervistë individë të cilët po deklarohen se kanë parë, kanë dëshmuar apo dijnë për raste të kidnapimit të fëmijëve. Deri më tani, asnjëri nga këta individë nuk ka qenë në gjendje të ofrojë ndonjë informatë apo dyshim të konfirmuar për kidnapim apo tentim kidnapimi.

Ftoj të gjithë qytetarët e komunës tonë, të mos bijnë pre e luftës psikologjike e cila ka shkaktuar tmerr dhe panik tek prindërit.

Rasti i para disa ditëve në lagjen Ali Ibra, është vlerësuar si rast i izoluar dhe pa ndonjë lidhshmëri me ndonjë formë të organizuar të krimit.

Për të adresuar brengat, frikën dhe panikun e shkaktuar në masë, nesër, ditë e Shtunë me fillim në ora 11:00 do të mbajmë konferencë të përbashkët për media me Komandatin e Stacionit policor në Gjakovë, Krist Gjokaj dhe Drejtoren e Arsimit në DKA, Diana Çarkaxhiu.

Ju uroj Natë të mirë dhe të qetë!