Kuçi: Nuk mjafton ndryshimi i ligjeve pa ndryshimin e mentalitetit (Video)
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk mjafton vetëm hartimi i efektiv i kodit civil në përputhje me ligjet në fuqi, e as çështja e barazisë gjinore në aspektin e trashëgimisë pronësore, nëse nuk ndërrohen praktikat e mentalitetit shoqëror.
Lajme
Këto komente Kuçi i bëri në një diskutim me temën “Çështjet gjinore, pronësore dhe mundësitë ekonomike në Kosovë”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës në bashkëpunim me USAID-in.
“Kemi telashe në heqjen dorë të pronësisë nga gratë si pasoje e traditës. Kam informacion që 98% e grave heqin dorë nga pronësia. Për këtë çështje kam një vërejtje edhe te noterët, të cilët duhet të jenë më të kujdesshëm në bartjen e pronësisë…Çështja është edhe te heqja dorë e mentalitetit. Ta ndryshojmë mentalitetin përmes ligjit”- tha Kuçi.
James Hope, Drejtor i Misionit të USAID-it në Kosovë, ftoi nivelet komunale dhe shoqërinë të bëjnë më shumë për barazinë pronësore.
“Problem mbetet shkalla e presionit ndaj grave për të hequr dorë nga e drejta e tyre pronësore, heqja dorë nga pronësia. Niveli komunal dhe shoqëria kanë rol avokimi në përmirësimin e çështjes pronësore, drejt një të ardhme më të mirë.”- është shprehur Hope.
Edhe kryetarja e Gjykatës themelore të Mitrovicës, Kada Bunjaku-Përçuku, shprehu shqetësimet lidhur me barazinë pronësore. Ajo tha se në të shumtën e rasteve kontekstet që marrin në gjykata, bazën e kanë te çështja e pabarazisë pronësore.
“Gratë janë me përqindje të vogël të trashëgimisë, janë të cunguara edhe te pronësia e bizneseve sepse u mungon baza”- tha Bunjaku-Përçuku.
Programi i USAID për të Drejtat Pronësore (PRP) është aktivitet katërvjeçar që synon të adresojë sfidat e ndërlidhura me të drejtën pronësore dhe të zhvillojë një plan për të stabilizuar regjimin e të drejtave pronësore në Kosovë. Programi do të punojë në partneritet me Qeverinë e Kosovës, komunat dhe palët e interesuara vendore dhe ndërkombëtare.
