Takimi i përbashkët qeveritar Shqipëri-Maqedoni, në qershor

Mbledhja e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë pritet të mbahet në muajin qershor, tha të hënën ministri i Jashtëm maqedonas Nikolla Popovski.

Lajme

13/04/2015 19:51

Ai tha se Shkupi është në pritje të përgjigjes nga pala shqiptare për caktimin e datës së takimit, ku pritet të firmosen disa marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Po punojmë intensivisht për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët qeveritare. Ne para një viti kemi ngritur këtë iniciativë dhe gjatë vizitës time të fundit në Tiranë kam biseduar me homologun tim shqiptar që deri në muajin qershor të realizohet ky takim. Ne kemi propozime për disa marrëveshje që mund të arrihen me Shqipërinë, ndaj presim përgjigjen e tyre”, deklaroi Popovski.

Përveç mbledhjes me qeverinë e Shqipërisë, kryediplomati maqedonas bëri të ditur se brenda këtij viti një seancë ndërqeveritare pritet të mbahet edhe me Kosovën.

“Ka disa marrëveshje që pritet të firmosen me Kosovën, siç është ajo për mbrojtjen e investimeve dhe për lëvizjen pa pasaporta. Po ashtu, pritet të diskutojmë edhe për autostradën Shkup-Prishtinë dhe koston financiare të këtij projekti, si dhe për hapjen e vendkalimit kufitar Stançiç-Bellanoc”, saktësoi Popovski.

Ndërkohë që ende nuk ka caktuar datat për mbajtjen e takimeve ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Kosovën, Maqedonia tashmë ka realizuar dy seanca të përbashkëta qeveritare më Serbinë dhe një me Bullgarinë, transmeton Top Channel.