Kosovë-SHBA: Marrëveshja për ekstradim drejt finalizimit
Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në fazën e përmbylljes së marrëveshjes së ekstradimit.
Lajme
Deri më tani kërkesat për ekstradim nga Shtete Bashkuara të Amerikës janë bërë mbi bazën e një marrëveshje ekstradimi të vitit 1901 në mes të SHBA dhe Mbretërisë së Serbisë, raporton Radio Kosova.
Që nga viti i kaluar Ministria e Drejtësisë e Kosovës dhe sektori i drejtësisë i Departamentit Amerikan kanë nisur bisedimet për një marrëveshje ekstradimi.
Kjo marrëveshje, sipas zyrtarëve në Kosovë është në fazën finale të negocimit.
Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Saranda Salihu, ka thënë se marrëveshja pritet të lehtësoj procedurat ekstradimit, e të kërkuarve, sidomos atyre për terrorizëm.
“Marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në proces dhe pritet të nënshkruhet së shpejti. Marrëveshja është e natyrës së përgjithshme, sikurse me të gjitha shtetet e tjera. Kjo pritet të lehtësoj procedurat e ekstradimit të personave të kërkuar për krime të ndryshme”, ka i ka thënë Salihu, Radio Kosovës.
Autoritet amerikane në muajin mars në raportin për trafikimin narkotikëve kanë paralajmëruar një marrëveshje ekstradimi me Kosovën.
Gjykatësit e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit kanë refuzuar disa herë kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për ekstradimin e shtetasve të Kosovës në këtë vend.
Gjykatësit evropianë në Kosovë konsideronin se kërkesat amerikane për ekstradim të shtetasve kosovarë janë në shpërputhje me sovranitetin e Kosovës.
Kjo kishte ndodhur në rastin e Bajram Asllanit nga Mitrovica, i kërkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për veprën penale të “ofrimit të përkrahjes materiale për terroristët”.
Gjykatësit evropianë në këto raste kontestojnë vlefshmërinë e Marrëveshjes për ekstradim të datës 21 tetor 1901, e nënshkruar mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Serbisë, mbi bazën e së cilave bëhen kërkesat për ekstradim.
Edhe tani misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, konsideron se edhe po të ishte e vlefshme marrëveshja e vitit 1901 nuk i përmbush kriteret për ekstradimin e qytetarëve kosovarë, ngase vepra penale e “përkrahje e terrorizmit” nuk është e përfshirë si vepër penale në Marrëveshjen e vitit 1901.
Autoritet kosovare deri më tani kanë të nënshkruara marrëveshje ekstradimi me rreth 30 shtete, raporton Radio Kosova.