Egjipt: Dënohet me vdekje lideri shpirtëror i Vëllazërisë Myslimane

Një Gjykatë në Egjipt ka dënuar me burgim të përjetshëm liderin shpirtëror të Vëllazërisë Myslimane, Mohamed Badi, së bashku me 13 persona të tjerë.

Bota

12/04/2015 10:57

Ata u dënuan nën akuzën e shkaktimit të kaosit dhe dhunës, gjatë protestave të dy viteve më parë dhe atyre të vazhdim.

Vendimi i Gjykatës u aprovua edhe nga Myftiu i Madh i vendit, duke respektuar ligjet egjiptiane që çdo dënim me vdekje duhet miratuar edhe nga autoriteti më i lartë fetar.

Sipas medieve egjiptiane, vendimi mund të apelohet dhe ekzekutimi i dënimit mund të kryhet vetëm pas disa vitesh. Të gjithë të dënuarit kanë qenë pjesë e mijëra të burgosurve të arrestuar pas rrëzimit me dhunë nga pushtetit të Presidentit Mohamed Mursi.

71-vjeçari Badi u ndalua nga autoritetet në gusht 2013, ndërsa udhëhiqte një protestë në mbështetje të Mursit. Ai dhe të tjerët akuzohen se kanë mbështetur kryengritje me bazë fetare, të cilat kanë marrë disa qindra jetë civilësh dhe ushtarakësh.

Vëllazëria Myslimane pretendon se është vetëm një lëvizje paqësore, por Presidenti në detyrë, Abdel Fatah Al-Sisi, i cili ishte në krye të gjeneralëve të ushtrisë që rrëzuan Mursin nga pushteti, e ka përshkruar gjithnjë organizatën si rrezik për sigurinë kombëtare dhe i ka shpallur luftë duke arrestuar, dënuar dhe ekzekutuar figurat e saj kryesore në të gjithë vendin.