Konvoji ushtarak amerikan – mesazh sigurie për aleatët lindorë të NATO-s

Komandanti i lartë i NATO-s, Philip Breedlove tha sot se konvoji me automjete të blinduara i ushtrisë amerikane, duke kaluar nëpër rrugët e Çekisë, ka dërguar mesazh të sigurisë.

Bota

31/03/2015 17:10

Këto komente ai i bëri gjatë qëndrimit të sotëm në Bukuresht të Rumanisë, një ditë pasi konvoji ushtarak i Shteteve të Bashkuara kaloi nëpër Çeki gjatë rrugëtimit të tij për në Gjermani.

Konvoji është kthyer nga stërvitja gjashtëmujore me Poloninë dhe vendet baltike, që janë aleatë të NATO-s.

Regjimenti i Dytë i automjeteve të blinduara të ushtrisë amerikane është pritur me ngrohtësi, derisa ka kaluar përgjatë Polonisë , si dhe në Çeki.

Konvoji ushtarak amerikan i ka kaluar më shumë se 1 mijë kilometra gjatë disa ditëve të fundit, për të demonstruar mbështetjen për aleatët nga lindja e Evropës, që janë të shqetësuar nga aksionet e Rusisë në Ukrainë.

Në Çeki ka pasur edhe disa protesta të vogla që janë organizuar nga Partia Komuniste e Çekisë.