Ish-agjenti serb, vlerësues i bisedimeve

Ish-shefi i agjencisë informative të ushtrisë serbe (VOA), Dragan Vlladisavleviq, i cili në vazhdimësi ka kërcënuar Kosovën me hapjen e konflikteve të reja, është përzgjedhur drejtor i Zyrës së re të qeverisë serbe, e cila ekskluzivisht do të merret me procesin e negociatave Prishtinë-Beograd.

Lajme

31/03/2015 08:23

Në fillim të këtij muaji, qeveria e Serbisë ka vendosur që të themelojë këtë zyrë, e cila, sipa saj, “ka për qëllim forcimin e të gjitha kapaciteteve kombëtare, për të bërë së bashku në një trup të vetëm, të gjithë ata që janë përfshirë në procesin e negociatave me Prishtinën”.

Shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë e Metohi në qeverinë serbe”, Marko Gjuriq, ka bërë të ditur se kjo zyrë do të shtjellojë dhe argumentojë të gjitha çështjet politike, ligjore e teknike që kanë të bëjnë me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ndërkohë, që ushtrues detyre i drejtorit të kësaj zyre është përzgjedhur Dragan Vlladisavleviq, i cili deri vitin e kaluar ka qenë në krye të agjencisë informative të ushtrisë serbe (VOA). /Zëri.