Maxhuni në Beograd, drejtor i policisë së “krahinës së Kosovës”

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dje ka qëndruar për një vizitë në Beograd, me ç’rast është takuar me homologun e tij serb, Millorad Veloviq.

Lajme

11/03/2015 17:48

Në takim është biseduar bashkëpunimin policor, integrimin policor, krimet ndërkufitare dhe migrimin e kundërligjshëm.

Mirëpo, megjithëse nga misioni i EULEX-it ky takim është cilësuar si sukses që ka dalë nga bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, kështu nuk duket në realitet.

Në një deklaratë për media para takimit mes dy drejtorëve të policive respektive, ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq ka thënë se takimi do të mbahet me drejtorin e Policisë së krahinës së Kosovës.

“Sot do ta presim në vizitë drejtorin e Policisë së krahinës sonë të Kosovës, i cili do të jetë këtu për t’i raportuar drejtorit Veloviq në lidhje me gjendjen e sigurisë në krahinën tonë, por do të bisedojmë me të edhe për integrimet e për çështje tjera me rëndësi”, ka thënë Stefanoviq para gazetarëve, raporton Koha.net.

Kujtojmë se ky takim është lehtësuar nga EULEX-i si pjesë e mbështetjes së autoriteteve të Prishtinës dhe të Beogradit në kuadër të mandatit të tij për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve të Prishtinës dhe të Beogradit për sundimin e ligjit, duke përfshirë zyrtarët e policisë, drejtësisë dhe doganës.