Ilir Meta jep dëshminë e tij në prokurori: Tom Doshi sajoi videon për Tom Doshin

Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta ka dëshmuar në Prokurorinë e krimeve të rënda të Shqipërisë, mbi pretendimet e deputetit Tom Doshi, i cili ka akuzuar kryeparlamentarin ka porositur njerëz për ta vrarë.

Lajme

06/03/2015 10:23

Meta u paraqit në orën 08:00 në organin e akuzës, ndërkohë, në orën 10:00, po të premten, në dyert e Prokurorisë së Krimeve të Rënda pritet të paraqitet Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe dy orë pas tij, edhe kryeministri Edi Rama.

Të dy përfaqësuesit e qeverisë, së bashku me Ilir Metën, konfirmuan dhënien e dëshmisë një ditë më parë.

Ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse në prokurori do të paraqitet edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar nga prokurorët për të dëshmuar, pas deklaratave të tij në Kuvend, gjatë seancës të ditës së enjte.

Pas daljes, Kryetari i Kuvendit tha se është i hapur për një hetim të plotë të të gjithë çështjes dhe ripërsëriti qëndrimin se videoja është një sajesë, duke e cilësuar atë “video të Tomës për Tomën”.

Meta tha se ishte i gatshëm që, nëse prokurorët e shohin të arsyeshme, të ballafaqohet me dy akuzuesit e tij, deputetin Doshi dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Jam këtu që të bashkëpunoj me prokurorinë për hetimin e plotë të kësaj çështjeje, duke iu nënshtruar ligjit dhe vetëm në respekt të tij. Kam shprehur gatishmërinë nëse prokuroria do ta shohë të arsyeshme të bëjë ballafaqim me dy akuzuesit e mi, Doshin dhe Berishën dhe me cilindo që pretendon se ka prova që përfshijnë Metën me këtë çështje. Videon e Tomës me Tomën për provë vetëm Doktori mund ta marrë, ndërsa Toma si person përbën më shumë antiprovë se sa provë juridike. Video e Tomës me Tomën nuk mund të përbëjë provë. Edhe vetë Toma si person është një antiprovë”, tha ai. /Top Channel/