Demaku: Drenasi po përballet me vështirësi në procesin e zhvillimit ekonomik

Komuna e Drenasit po përballet me vështirësi sa i përket zhvillimit ekonomik, i cili do të përmirësonte mirëqenën e qytetarëve, ka thënë kryetari i kësaj komune Nexaht Demaku. Ai ka thënë se numri i qytetarëve që po e lëshojnë vendin ka shënuar rënie.

Lajme

05/03/2015 15:33

Kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Deamku, ka bërë të ditur se kjo komunë po përballet me probleme sa i përket zhvillimit ekonomik.

Demaku gjatë një takimi që pati me presidenten Jahajaga, e cila sot ka qëndruar në vizitë në Gllogoc, tha se janë duke bërë çmos për të krijuar kushte sa më të mira për tu bërë biznes.

“Komuna po përballet me vështirësi në procesin e zhvillimit ekonomik që do të ndihmonte edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, por tha se po bëhen përpjekje të vazhdueshme për të krijuar një mjedis dhe klimë sa më të mirë për biznes dhe tërheqjen e investimeve nga jashtë”, ka thënë Demaku.

Sipas një komunikate të zyrës së Presidencës së Kosovës, thuhet se Jahjaga e Demaku, diskutuan edhe për migrimin e qytetarëve, që sipas të parit të komunës së Gllogocit, numri i qytetarëve që po lëshojnë vendin ka shënuar rënie.

Pas vizitës në Kuvendin e Komunës, Presidentja Jahjaga mori pjesë në shënimin e fillimit të punës në punëtorinë e rrobaqepësisë për gratë e Drenasit, e udhëhequr nga zonja Kadire Tahiraj dhe theksoi se punëtoria është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për fuqizimin ekonomik të grave.

“Punëtoria po hapet në një ditë të veçantë, siç është dita e sotme, që simbolizon edhe sakrificën tonë si popull dhe si shtet për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë.  Pjesë e kësaj sakrifice dhe e kësaj dhimbjeje të madhe kanë qenë edhe gratë tona, kanë qenë heroinat tona, që unë u them grave që kanë qenë viktima të dhunës në përgjithësi gjatë luftës”.

“ Një numër i tyre tanimë nuk janë në mesin tonë. Një numër tjetër i tyre kanë tani një projekt, që i fuqizon ekonomikisht ato përmes programeve të trajnimit dhe avancimit”, tha Presidentja Jahjaga.

Ajo bëri të ditur se kjo punëtori është nismë e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarat e Dhunës në përgjithësi pas luftës, i përkrahur fuqishëm nga KRCT-ja, nga ambasada britanike dhe USAID-i, por që nuk do të jetë i vetmi.

“Projekte të tilla do të ketë edhe në komuna të tjera. Komuna tjetër e radhës do të jetë komuna e Gjakovës në të njëjtin projekt dhe do të përkrahet fuqishëm nga institucioni im, por edhe nga institucionet e tjera të vendit”, theksoi  Jahjaga.