Populli më proevropian me një korridor të vetëm: Lindjen (Video)
Lindja është korridori i vetëm nëpër të cilin kosovarët mund të kalojnë pa viza, thotë ministri i brendshëm Skënder Hyseni.
Lajme
Është për keqardhje që populli më proevropian, rinia më proevropiane është toatlisht e izoluar nga Evropa Perëndimore dhe e ka veç një korridor, Turqinë dhe tutje në lindje. Turqia është ‘okay’, vend mik dhe partner strategjik i Kosovës, por ne nuk na pëlqen nëse të rinjtë tanë ëndërrojnë të shkojnë përtej Turqisë si rezultat i izolimit nga Evropa të cilën Kosova e synon.
Kështu ka thënë ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, para komisionit për Integrime Evropiane të hënën.
Në një raportim të tijin mbi përparimin e ministrisë që ai udhëheqë lidhur me liberalizimin e vizave e çështjet e migrimit, Hyseni ka thënë se do të kërkojë rishikimin e buxhetit në mënyrë që të ketë fond për të kthyerit.
Hyseni ka thënë se pjesa madhe e qytetarëve që po migrojnë ilegalisht në vendet e BE-së, po marrin këtë rrugë për shkaqe ekonomike dhe se duhet të ngritën të ardhurat e atyre që punojnë.
Ai ka deklaruar se ministria që ai drejton do t’i plotësojë kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave më së largu deri në muajin maj. Kurse, sa i përket migrimit ilegal, Hyseni ka thënë se në vitin e kaluar janë riatdhesuar mbi 4 mijë perona.
“Puna e liberalizimit nuk ka mbetur më vetëm në kornizat thjeshtë teknike, por, ka kaluar në një stad tjetër, dhe në një kornizë që është skajshmërisht politike dhe kërkon një vendim të guximshëm politik edhe nga ana e KE-së”.
I kritikuar nga deputeti opozitar në këtë komision, Ilir Deda, për përdorim të shifrave të Eurostatit si shifra të sakta të migrimit, kur dihet se këta të fundit fusin në numër vetëm azilkërkuesit, ministri theksoi se për shifrat e sakta të personave që kanë lënë vendin, duhet kohë.
Lidhur me këtë, ai tha edhe se, nesër do të ketë takim midis drejtorëve të Policisë së Kosovës dhe Serbisë për migrimin, pasi që 80 % e qytetarëve kanë migruar nga Serbia për shkak të kalimit me letërnjoftim. (lajmi.net)