Fëmijët e çerdheve publike hanë ushqime të ftohta e të konservuara
Pashtetë dhe ushqim tjetër i ftohtë e i konservuar u është shërbyer fëmijëve të çerdheve publike në Prishtinë, dy ditët e para të kësaj jave. Kjo për shkakun se komuna e Prishtinës dhe furnitori i deritashëm, “Beni Dona”, i kanë ndarë rrugët.
Lajme
Por, zyrtarët komunalë kanë theksuar se kjo nuk ka qenë arsyeja që fëmijët në fillim të javës është dashur të hanë ushqim të ftohtë, raporton KTV.
Fitore Pacolli, Shefe e Kabinetit të Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se në fund të marsit do të bëhet përzgjedhja e një furnitori të ri, i cili do të operojë deri në shtator të këtij viti. Ndërsa, nga shtatori ka mundësi që komuna vet ta kryejë këtë shërbim.
Në anën tjetër, drejtoreshat e dy çerdheve në kryeqytet, prapa kamerës, e kanë pranuar se në fillim të javës u ndryshoi menyja, por sipas tyre, ushqimi është përmirësuar dukshëm.
Për këto probleme, janë njoftuar edhe prindërit. KTV-ja ka provuar të kontaktojë edhe me pronarin e kompanisë “Beni Dona”, Ragip Mustafa, për të marrë reagimin e tij lidhur me akuzat e komunës së ai i ka furnizuar çerdhet me ushqim jocilësor, por Mustafa nuk është përgjigjur.