Komisioni për AKI-në nuk e di arsyen e largimit të Smakajt

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), nuk i di arsyet e shkarkimit të drejtorit të AKI-së, Bashkim Smakajt. Anëtarët e këtij komisioni thonë se nuk kanë informata se çfarë po ndodhë në AKI.

Lajme

21/01/2015 14:28

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), nuk i di arsyet e largimit të ish-drejtorit të AKI-së, Bashkim Smakaj.

Anëtarët e komisionit shprehen se nuk kanë informata për ndodhitë e fundti në këtë institucion.

Kryetari i komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Haxhi Shala, tha se nuk është i befasuar për vendimin e presidentes për largimin e Smakajt, bazuar në veprimet e tij.

“Nuk jemi të njoftuar nga institucionet të cilat e kanë marrë atë vendim për shkarkimin e drejtorit të AKI-së. Ne do ta presim edhe shumë shpejt do ta kemi raportin nga presidentja dhe kryeministri lidhur me largimin e tij ose vendimin të cilin e kanë marrë ata”, tha Shala.

Nënkryetari i komisionit për mbikëqyrje të AKI-së Rrustem Berisha, ka thënë se takimi me përfaqësuesit e AKI-së ishte më tepër njoftues. Ai tha se nuk është diskutuar lidhur me largimin e Smakajt nga pozita e të parit të AKI-së.

“Jo nuk biseduam sepse nuk është çështje e jona, ajo është çështje që vendos kryetarja dhe kryeministri. Nuk e diskutuam këtë çështje takimi pat karakter njoftues por në takimet e radhës do të ngritën edhe këto çështje”, tha Berisha.

Kurse, Aida Derguti anëtare e komisionit për mbikëqyrje të AKI-së, ka thënë se nuk ka informata zyrtare për atë se çka po ndodh në AKI.

 “Për sa kohë nuk kemi një informacion zyrtare, unë nuk guxoj të lëshohem në spekulimet e portaleve të cilat kanë qenë informacione të ndryshme”.

“Ka mbetur që në ndërkohë, për çështjet që ne do të kërkojmë nga AKI-ja, t’i dërgojmë me shkrim dhe t’i ftojmë ata në një mbledhje të radhës në komisionin tonë”, ka thënë Dërguti.