Ilir Meta kërkon më shumë buxhet për shqiptarët në Maqedoni
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta foli për një fqinjësi të mirë, kundër ndryshimit të kufijve, si dhe për nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se zbatimi i kësaj marrëveshje forcon stabilitetin e vet Maqedonisë. Ai kërkoi edhe pjesëmarrje më të madhe të shqiptarëve si faktor shtet-formues.
Lajme
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta sot në një fjalim në Kuvendin e Maqedonisë ka dhënë disa mesazhe bashkëpunimi dhe kundër ndryshimit të kufijve.
Kryekuvendari shqiptar deklaroi se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë janë kyçe dhe strategjike për tërë rajonin. “Të gjitha forcat politike ashtu si në Tiranë, por edhe në Shkup kanë përgjegjësi dhe detyrë për konkretizimin e këtyre marrëdhënieve dhe përparimin e tyre, duke ndarë edhe angazhimet e përbashkëta”.
Kryeparlamentari shqiptar u ndal edhe në nevojën e pashmangshme për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke theksuar se kjo marrëveshje e forcon dhe afron popujt mes vete dhe vendin drejt BE-së.
“Qytetarët e vendit tuaj, pavarësisht përkatësisë etnike, do të përfitonin shumë më shumë nga një avancim më i përshpejtuar i zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje. Do të merrni kështu rezultate konkrete të prekshme dhe të ndjeshme për të gjithë. Në radhë të parë për stabilitetin e Maqedonisë, por edhe për ngushtimin e hapësirave të spekulimeve ekstremiste ngado që ato vijnë. Më konkretisht, duke vlerësuar progresin e deritanishëm domethënës, ne inkurajojmë një ndarje edhe më proporcionale buxhetore dhe një pjesëmarrje më të madhe dhe më cilësore të shqiptarëve si faktor shtet-formues në jetën sociale, administrative e politike të Maqedonisë. Pabarazia e investimeve dhe zhvillimit që bie pre në disa rajone perëndimore të vendit, ka nevojë të zbutet deri në krijimin e një realiteti të ri mjaft më të harmonishëm. Dua të sigurojë se Shqipëria gjithnjë do të qëndrojë pranë në mbështetje të progresit të Maqedonisë”, deklaroi Ilir Meta, raporton Ina.