BE: Përkeqësim i situatës në Ukrainë, sanksionet vazhdojnë
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini tha të hënën se situata në terren në Ukrainë është “më e keqe se javën e kaluar”.
Bota
Mogherini e ka përjashtuar mundësinë që sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë të zbuten, pa implementimin nga ana e Moskës të marrëveshjeve të Minskut, raporton REL.
“Marrëdhëniet tona me Rusinë mund të ndryshojnë vetëm atëherë kur përkushtimet që janë marrë në Minsk të implementohen. Më lejoni të them se zhvillimet e fundit në terren nuk janë inkurajuese”, tha Mogherini pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë imponuar sanksione ekonomike kundër Rusisë, pas aneksimit të Krimesë, në muajin mars të vitit të kaluar.
Perëndimi po ashtu e akuzon Rusinë për dërgimin e trupave dhe armatimit në pjesën lindore të Ukrainës, për t’i mbështetur separatistët. Moska i ka hedhur poshtë këto akuza.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Linas Antanas Linkevicius tha se Moska nuk “ka treguar vullnet politik, prandaj nuk ka arsye për ndryshim të politikës”.