Thaçi nderohet me “Golden Arrow” në Vjenë

Zëvendëskryeministri dhe ministri Jashtëm, Hashim Thaçi, nderohet edhe me çmimin prestigjioz “Golden Arrow” në Vjenë. 

Lajme

19/01/2015 14:19

Nesër pas takimit me homologun e tij austriak, Sebastian Kurz, siç mëson, zëvendëskryeministri Thaçi do të niset për në kryeqytetin vjenez për të tërhequr këtë çmim prestigjioz, që në shqip përkthehet Shigjeta e Artë. 

Çmimi për arritje gjatë karrierës “Golden Arrow”, sipas organizatorëve, iu jepet figurave që ia dalin të realizojnë ide të jashtëzakonshme dhe bëjnë të mundur të pamundshme, transmeton Indeksonline. 

Në këtë forum që është ndër më prestigjiozët e Evropës dhe që organizohet për herën e 12-të marrin pjesë personalitete të politikës, biznesit, mediave dhe botës se artit e kulturës dhe tema kryesore e paneleve të ndryshme do të jetë “Forca e Rajoneve”.

Në programin e këtij viti, të pranishëm në panele pritet të jenë edhe personalitete si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ish-presidenti çek Vaclav Klaus, ish-presidenti ukrainas Yushchenko, ish-kancelari austriak Wolfgang Schüssel, ish-drejtuesi i Agjencisë Atomike, nobelisti Mohamed ElBaradei, etj. Sivjet bashkë me Thaçin këtë çmim e merr edhe nobelisti dhe ish-presidenti i Afrikës Jugore, Frederik Willem de Klerk. 

Në të kaluarën ky çmim i është ndarë figurave si kancelarit austriak Erhard Busek, ish-kryeministrit polak Jerzy Buzek, princit të Lihtejnshtejnit Hans Adams II, presidentit çek Vaclav Claus, ish-kryeministrin polak Lech Walesa, presidenti izraelit Shimon Peres apo edhe ish-ministrave të jashtëm gjerman Dietrich Genscher dhe Joschka Fischer.