Beka e Biraj kanë plotësuar kriteret për të qenë në garë për kryeprokuror të shtetit
Imer Beka dhe Metush Biraj i kanë plotësuar të gjitha kriteret për të qenë kandidat për kryeprokuror të Shtetit.
Lajme
Komisioni për Rishqyrtim i Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka rishqyrtuar kërkesën për rikonsiderim të kandidatëve për Kryeprokurorë të Shtetit, kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka dhe ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Metush Biraj.
Në një takim që ka mbajtur të martën, Komisioni për Rishqyrtim i Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka vendosur se Imer Beka e Metush Biraj, kanë plotësuar të gjitha dokumentet nevojshme për të konkurruar për kryeprokuror të shtetit.
“Komisioni për Rishqyrtim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, pasi ka rishqyrtuar kërkesën për rikonsiderim dhe ka shikuar dokumentacionin e dy kandidatëve, ka konstatuar që tani kandidatët Beka dhe Biraj kanë kompletuar dokumentacionin e kërkuar në bazë të kritereve të konkursit për Kryeprokurorë të Shtetit dhe kanë marrë vendim që edhe këta dy kandidatë të vazhdojnë garën për Kryeprokurorë të Shtetit”, thuhet në një komunikatë për media nga Prokuroria e Shtetit.
Garës se kandidatëve për Kryeprokurorë të Shtetit, Laura Pula, Aleksandër Lumezi, Shyqri Syla dhe Agron Galani, tani pas vendimit të Komisionit për Rishqyrtim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i janë bashkuar dhe Imer Beka dhe Metush Bira.