Muhaxhiri: Edhe Thaçit i takon të bëhet pjesë e zgjidhjes së ngërçit

Për analistin Artan Muhaxhiri, heqja dorë e VLAN-it nga posti i kreut të Kuvendit është vetëm fillimi i zgjidhjes së ngërçit politik. Megjithatë, ai ka thënë se nevojiten edhe shumë përpjekje të tjera nga faktorët e ndryshëm, si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, që të arrihet një zgjidhje definitive.

Lajme

07/11/2014 19:21

“Gjithsesi ky është një hap pozitiv dhe i rëndësishëm në procesin e zhbllokimit të situatës”, ka thënë Muhaxhiri, në një prononcim për portalin koha.net

Duke komentuar deklaratën e LDK-së për kërkesën e saj për të drejtuar qeverinë, Muhaxhiri nuk ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni në mes të kësaj partie dhe PDK-së së Thaçit.

“Koalicioni PDK- LDK është dëshirë e hapur edhe e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të disa zhvillimeve që priten në të ardhëm, më saktësisht të themelimit të Gjykatës Speciale. Koalicioni PDK-LDK konsiderohet si më stabili dhe më i lehti për të komunikuar me bashkësinë ndërkombëtare”, ka shprehur bindjen Muhaxhiri.

Por, sipas tij, ky ndryshim do të varet ekskluzivisht nga LDK-ja, e cila duhet të vendosë se a të qëndrojë në VLAN apo t’i bashkohet PDK-së.

“Një rol vendimtar këtu do të ketë bashkësia ndërkombëtare, më konkretisht amerikanët, nisur edhe nga deklarata e djeshme e ambasadores Tracy Ann Jacobson, e cila megjithatë la shumë pikëpyetje dhe nuk ishte decidive në fjalimin e saj”, ka thënë Muhaxhiri.

Muhaxhiri është shprehur i sigurt se Hashim Thaçi është i gatshëm që t’i lë Isa Mustafës së LDK-së postin e kryeministrit.

“Sepse, në fakt, nuk ka shumë alternativa, ngase i ka vetëm 36 deputetë në Kuvend”, ka thënë ai. “Do të ishte politikisht e moralshme që edhe Thaçi të bëhet pjesë e zgjidhjes së bllokadës”, ka thënë Muhaxhiri.