Platini s’ka turp: Zero tolerancë ndaj racizmit
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini ka treguar se nuk ka turp, duke theksuar se organizata që drejton ka zero tolerancë ndaj racizmit.
Sport
“Vrite, there që shqiptari të mos ekzistojë”. Ishin këto brohoritjet që u dëgjuan gjatë gjithë kohës në stadiumin e Partizani të Beogradit, para dhe gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri.
Është pak t’i quash thjesht kore raciste pasi shkojnë deri në thirrje për gjenocide. Një akt i shëmtuar në sytë e mbarë botës së qytetëruar, por që nuk u dëgjua nga UEFA dhe Michel Platini, me racizmin që as nuk u përmend në vendimin e Komisionit të Disiplinës për ngjarjet e takimit të 14 tetorit.
Por, francezi prapë ka guximin që të theksojë se politika e UEFA-s nënkupton zero tolerancë ndaj racizmit.
“Ne punojmë jo vetëm kundër çdo lloj forme racizmi, por gjithashtu edhe për paragjykimet kundër njerëzve me paaftësi fizike apo homofobisë. Ne kemi zero tolerancë ndaj të gjitha këtyre. Ne po përpiqemi të ndihmojmë njerëzimin dhe qytetërimin, të kemi një jetë më të mirë. Ne na duhet t’i mbajmë jashtë futbollit të gjithë këta njerëz budallenj që nuk po punojnë për një bashkëpunim të mirë”, deklaroi Platini.
Para pak kohësh do të kishte qenë një deklaratë për t’u përshëndetur, por në dritën e vendimit të fundit të disiplinorit të UEFA-s, nuk duket aspak e tillë.