Jacobson “pushton” gazetat ditore: Zgjedhje, nëse dështojnë dy mandatarë
Gazetat ditore janë marrë që të gjitha me mesazhin e ambasadores amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e cila të enjten në një debat të organizuar “FOL Hapur” në Prishtinë, ua dërgoi liderëve në gjuhën shqipe: “Mos e dhini punën”!
Lajme
“Flakaresha’ amerikane”, është titulli i “Zërit”, që sipas kësaj gazete ambasadorja Jacobson ua dha të enjten liderëve kosovarë, e mllefosur se me lojërat e tyre, ata po e shkatërrojnë shtetin.
Gazeta Koha Ditore në ballinë ka lajmin me titull “Jacobson: Në zgjedhje, nëse dështojnë dy mandatarë”, deklaratë e nxjerrë nga debati “FOL Haspur”.
“Që të ketë zgjedhje të reja duhet të ketë konstituim të Kuvendit. Po ashtu, nëse dy mandatarë nuk arrijnë ta krijojnë Qeverinë, atëherë shkojmë në zgjedhje”, ka thënë ambasadorja amerikane, duke i porositur liderët që të mësojnë kulturën e konsensusit politik.
“SHBA, shuplaka liderëve”, është titulli i Gazetës Tribuna, e cila shkruan se Jacobson ka shpërthyer në një paraqitje para mediave, duke thënë se partitë politike të Kosovës e kanë traditë korrupsionin dhe nuk mund të bëjnë me gisht ndaj njëra tjetrës.
Ndërsa gazeta Epoka e Re, titull qendrorë të saj ka “Qorton Amerika”, e cila shkruan se ambasadorja Jacobson ka kritikuar fort liderët, duke i ftuar që t’i përgjigjen ftesës së presidentes Atifete Jahjaga dhe të gjejnë sa më shpejtë kompromisin politik që do të çojë në formimin e institucioneve të vendit.