Zafa: Me dalë flakë nga Merdara në Vermicë, Thaçi s’heq dorë

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha thotë se e njeh mirë Hashim Thaçin. Sipas tij, ai ka ndryshuar nga Thaçi që ishte para vitit 2002.

Lajme

06/11/2014 23:47

Duke folur për krizën politike në vend, ai në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë figurativisht se kupa është duke u derdhur, lëre që tanimë është mbushur.

Sipas tij, faji për zvarritjen e gjendjes nuk është i vetëm, atë e bartin disa persona e institucione.

“Mendoj se duke qenë pasive, Presidentja e shtetit e ka zvarritur për një muaj situatën. Vendimi i Gjykatës është i paqartë. Blloku fillimisht ka parë një dritë në fund të tunelit te pika 127. Por, kreu i Kushtetueses ka qenë i kapur nga partia në pushtet. Pastaj është kërkuar nga Presidentja sqarim dhe këto kanë ndikuar të zgjatet kjo situatë”.

“Tri ditët e fundit ka një ndryshim të klimës. Po besoj se gjërat janë duke shkuar drejt zgjidhjes”.

“Nuk pres PDK-ja të heqë dorë, për shkak se i njoh mirë. Si e njoh mirë Hashim Thaçin, flaka t’i dalë nga Merdara deri në Vermicë ai nuk heq dorë”.

“Hashim Thaçi ka qenë krejt tjetër. Nga 2002-2003 ai është bërë tjetër. Ka qenë më i vendosur. Ai është në gjendje të gënjej, të qeshë, dhe të të kapë në përqafim”.

“Sigurisht se konsultat janë duke vazhduar midis Bllokut dhe besoj se këto dy-tri ditë do të ketë një situatë të re”, tha pos tjerash Zafir Berisha.