Tifozët braktisin Interin

Tifozët e Interit janë të pakënaqur me trajnerin Walter Mazzarri dhe rezultatet e ekipit. Andaj, ata janë duke e braktisur skuadrën në ndeshjet në Giuseppe Meazza, ku stadiumi është pothuajse gjithmonë gjysmë i boshatisur.

Sport

04/11/2014 11:19

Mund të jetë për faj të krizës së rezultateve, por tifozët e Interit i kanë deklaruar luftë trajnerit Walter Mazzarri.

Kjo dëshmohet më së miri se sa herë që Inter zhvillon një ndeshje si nikoqir në Giuseppe Meazza, tribunat janë gjithnjë gjysmë të boshatisura.

Vitin e kaluar, Nerazzurrët e mbyllën sezonin me mesatare të shikueshmërisë prej 46 mijë në ndeshje, kurse pas pesë ndeshjeve të deritashme gjatë këtij edicioni në Serie A, mesatarja është 32 mijë.

Në rregull, Inter ende nuk është takuar me rivalët më të mëdhenj si Juventus dhe Milan, por për të treguar se tifozët e kanë braktisur ekipin vlen fakti se kundër Napolit ishin 7 mijë shikues më pak se dueli i skuadrave nga edicioni i shkuar.