QKUK-ja shtiret si transparente, thërret për ankesa që nuk i shqyrton asnjëherë
Derisa QKUK-ja iu bën thirrje publike pacientëve që t’i dorëzojnë ankesat që kanë për stafin e saj, ka pacientë që përgjigje në ankesa nuk kanë marrë asnjëherë.

Lajme
Edhe pse është obligim ligjor i institucionit shëndetësor që në afat brenda dhjetë ditëve të kthejnë përgjigje në ankesën e një pacienti, burime të gazetës Koha Ditore brenda QKUK-së thonë se përgjigje nuk kthehen asnjëherë.
Në QKUK aktualisht funksionojnë dy komisione që kanë për detyrë të merren me ankesa, ai Disiplinor, si dhe Komiteti Etik Profesional.
Në shtatorin e vitit të kaluar pacientja në dializë, Nazile Gashi, kishte proceduar një ankesë kundrejt drejtorit të atëhershëm të Klinikës së Hematologjisë, Arsim Brovina, pasi sipas saj, ai e kishte ofenduar dhe shtyer me duar, duke e nxjerrë jashtë nga ashensori.
“Kam qenë duke shkuar në dializë, në bodrum edhe kam hyrë në ashensor. Ka ardhur ai mjeku dhe më tha dil prej ashensorit. Unë i thashë që nuk po dal se jam duke shkuar në dializë, por ai më tha prapë dil, më shtyu me të dyja duar dhe unë u detyrova që të dal”, ka treguar Gashi.
Nazile Gashi akoma nuk ka vendim për këtë rast.
Por, me Ligjin për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në kujdesin shëndetësor, i cili ka hyrë në fuqi në shtator të vitit 2014, institucionet shëndetësore janë të obliguara që përgjigjen në akesat e qytetarëve brenda dhjetë ditësh, shkruan Koha Ditore.
Por ky nuk është i vetmi rast.
Në QKUK ka edhe dhjetëra raste të tjera të keqtrajtimit të pacientëve, duke filluar prej sjelljes së stafit mjekësor e deri tek papërgjegjësia profesionale në punë.