Messi e ka humbur fuqinë
Ish drejtori i përgjithshëm i Real Madridit, Jorge Valdano e ka kritikuar ashpër sulmuesin e Barcelonës, Lionel Messi. Ai thotë se ylli i gjigantit katalan nuk e ka më fuqinë e dikurshme.
Sport
Legjenda e Argjentinës, Jorge Valdano beson se Lionel Messi nuk është më ai që ishte dikur dhe është i bindur se sulmuesi e ka humbur fuqinë dhe aftësinë për të thyer mbrojtjet e ngjeshura të skuadrave kundërshtare.
Edhe pse Messi e fitoi çmimin e futbollistit më të mirë në Kampionatin botëror, ai vazhdon të jetë në qendër të kritikave, sidomos pas disfatës 3:1 në Santiago Bernabeu nga Real Madrid ku humbi disa raste të volitshme për shënim.
“Duke shikuar ndeshjen në Bernabeu, Messi nuk më dukej i gatshëm. Pozita e tij në fushë ka ndryshuar, tani e ka për detyrë që më tepër të asistojë”, deklaroi Valdano për “Radio Marca”.
“Por, e ka humbur fuqinë e depërtimit në mbrojtjet kundërshtare, njësoj siç bënte në të kaluarën kur i zgjidhte ndeshjet. Në Kampionatin botëror e pamë se diçka kishte ndodhur me të, ai ecte në fushë. Nuk ishte në formë të mirë fizike dhe ndoshta për këtë arsye luan më prapa, që mos të lodhet së tepërmi”, përfundoi ish drejtori i përgjithshëm i Real Madridit.