Pink Floyd (1965-2014), fundi i lumit të pafund!
Për të gjithë adhuruesit e muzikës rock, lexoni për më të rejat e rock-grupit të njohur Pink Floyd. Kur do të publikohet albumi më i ri? Kujt i kushtohet ai? Pse albumi është titulluar “The Endless River” (“Lumi i pafund”)? A do të jetë Roger Waters pjesë e këtij albumi? Çfarë thotë David Gilmour për ekzistencën e grupit dhe a do të ketë Pink Floyd edhe pas këtij albumi?
ShowBiz
Rock-grupi legjendar anglez dhe njëri nga më me ndikim në botë, Pink Floyd, po rikthehen fuqishëm në skenën muzikore.
Siç dihet tashmë, më 10 nëntor të këtij viti do të publikojnë zyrtarisht albumin e ri të titulluar “The Endless River”, i cili vjen plot 20 vjet pas albumit “The Division Bell” që ishte albumi i fundit i këtij grupi.
Por këtë herë Pink Floyd rikthehen të përgjysmuar. Në vitet e ’80-ta anëtarët e grupit u shpërndanë, për t’u rikthyer 20 vjet më pas, në vitin 2014. Por jo të gjithë prej tyre.
Richard Wright, pianisti i grupit, ka vdekur në vitin 2008. Për më shumë, albumi “The Endless River” i përkushtohet pikërisht të ndjerit Wright. Në të vërtetë, vdekja e tij më 2008 i bëri shumë njerëz të besonin që “The Division Bell” mund të ishte albumi i fundit i grupit. Mirëpo, i riu “The Endless River” përfshin punën e Wright-it që nga viti 1969.
Ndërsa, ish-anëtari tjetër i grupit, Roger Waters, para disa ditësh ka njoftuar se nuk është pjesë e Pink Floyd prej vitit 1985 dhe rrjedhimisht as nuk bën pjesë në albumin e ri.
“David Gilmour dhe Nick Mason po e nxjerrin një album. Ky album quhet Endless River. David dhe Nick janë anëtarë të Pink Floyd. Në anën tjetër, unë nuk jam pjesë e Pink Floyd. E kam braktisur në vitin 1985, para 29 vjetëve. S’kam të bëjë asgjë me albumet e studios të Pink Floyd, si “Momentary Lapse of Reason” dhe “The Division Bell”, dhe as me turnetë e Pink Floyd më 1987 dhe 1994, si dhe asgjë me “Endless River”, ka shkruar Waters në profilin e tij në Facebook, transmeton lajmi.net.
Historia e albumit “The Endless River” dhe fundi i grupit Pink Floyd
Ky album në të vërtetë nuk përmban këngë të reja që janë krijuar tani. Materiali i këngëve është incizuar shumë më herët, që në vitin 1993.
Titulli i albumit “The Endless River”, sipas David Gilmour, buron nga kënga “High Hopes” e albumit “The Division Bell” e cila përfundon me vargjet: “lumi i pafund deri në pafundësi”.
Kurse, duke u bazuar në faqen zyrtare në internet të grupit Pink Floyd, “ky është një album i muzikës instrumentale, i cili bazohet në ushtrimet e vitit 1993/94 të albumit “The Division Bell” ndërmjet David Gilmour, Nick Mason dhe Richard Wright.
Muajin e kaluar Gilmour ka deklaruar se “ne kemi dëgjuar materialin më shumë se 20 orë të ne të treve dhe kemi përzgjedhur muzikën që ne dëshirojmë ta përpunojmë për albumin e ri”. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar i kanë shtuar pjesë të reja këtyre incizimeve dhe i kanë ripërpunuar ato me teknologjinë e re për ta përshtatur albumin sipas rrethanave të shekullit XXI.
“Me Rick-un (Richard Wright) i cili nuk jeton më dhe mungesën e shansit të tij për të bërë prapë muzikë, e ndiejmë që këto materiale të ripunuara duhet të jenë të gatshme si pjesë e repertorit tonë”, ka pohuar rockeri Gilmour.
Ajo që e bën të veçantë këtë album është kënga “Louder Than Words”, e cila për herë të parë është transmetuar para dy ditësh në BBC Radio 2. Për dallim prej këngëve tjera që janë instrumentale, kjo këngë është me vokal dhe teksti i saj i ri është shkruar nga gazetarja dhe shkrimtarja britanike, Polly Samson. Kjo e fundit është bashkëshortja e David Gilmour-it, i cili këndon në këtë këngë.
Gjithashtu, vlen të theksohet se në këtë album paraqiten edhe disa personalitete të veçanta. Zëri i fizikanit të njohur anglez, Stephen Hawking, dëgjohet në këngën “Talkin’ Hawkin”, si edhe i tekstëshkruesve Anthony Moore dhe Polly Samson.
Se albumi i shumëpërfolur “The Endless River” do të shënojë edhe fundin një herë e përgjithmonë të ekzistencës së grupit Pink Floyd e ka paralajmëruar vetë David Gilmour.
Në një intervistë dhënë BBC 6 Music më 9 tetor ai ka thënë se “mendoj që kemi nxjerrë suksesshëm më të mirën nga ajo që kemi bërë. Por, unë dyshoj për këtë”. Më tej ai ka shtuar se “është e turpshme, por ky është fundi!”
Albumi “The Endless River” do të përmbajë gjithsej 18 këngë:
Things Left Unsaid
It’s What We Do
Ebb and Flow
Sum
Skins
Unsung
Anisina
The Lost Art of Conversation
On Noodle Street
Night Light
Allons-y (1)
Autumn ’68
Allons-y (2)
Talkin’ Hawkin’
Calling
Eyes to Pearls
Surfacing
Louder Than Words
Kurse, për të gjithë ata që dëshirojnë të dëgjojnë disa pjesë muzikore të albumit të ri, mund të klikojnë në faqen zyrtare të albumit, në këtë nyje: http://www.pinkfloyd.com/theendlessriver/listen (lajmi.net)