Studentët i kundërpërgjigjen Rektorit të ri, kërkojnë shkarkimin e tij
Rektori i ri i Universitetit “Hasan Prishtina” në një shkrim të tijin autorial tha se disa organizata studentore janë të korruptuara. Menjëherë ka ardhuar reagimi i studentëve, të cilët kanë akuzuar rektorin se me këto deklarata po mundohet ta shpërqendrojë vëmendjen nga zgjedhja skandaloze e tij në postin e të parit të universitetit publik.
Lajme
Parlamenti Studentor ka akuzuar Rektorin se ka publikuar punime në revista fiktive, dhe përveç kësaj sipas tyre ai është zgjedhur me votën e baxhanakut.
Parlamenti Studentor i UP-së “Hasan Prishtina” në reagimin e tyre kanë thënë se kanë kërkuar nga Këshilli Drejtues që të anulojë zgjedhjen e profesor Zejnullahut në krye të UP-’së për dy arsye.
E para, sipas tyre për shkak se ka publikuar punime në revista fiktive.
Dhe e dyta, shkaku i pjesëmarrjes së Blerim Kamberit në votimin e zgjedhjes së rektorit, i cili ka votuar për baxhanakun e tij, Ramadan Zejnullahu.
Ky hap sipas tyre paraqet shkelje të rëndë të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.
PSUP i është drejtuar edhe Agjencionit Antikorrupsion të cilët gojarisht na kanë konfirmuar se kjo formë e zgjedhjes është në kundërshtim me ligjin dhe paraqet vepër penale.