Rusia mund të jetë duke planifikuar pushtimin e Ukrainës

Zyrtarët amerikanë po shprehin shqetësim se Moska zyrtare mund të jetë duke u përgatitur për të pushtuar Ukrainën.

Bota

07/08/2014 10:37

Për disa ditë me radhë, zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar për shtimin e forcave ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën.

Pas një vizite në zyrat e komandës së trupave amerikane në Evropë, Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel e shprehu qartë këtë shqetësim.

“Kur sheh shtimin e trupave ruse dhe sofistikimin e tyre, stërvitjen e tyre, pajisjet e rënda ushtarake që po vendosen në kufi, natyrisht që kjo është një realitet dhe një kërcënim. Dhe, në mënyrë absolute, mundësia për ndërhyrje ekziston”, tha Hagel, njofton VoA.

Paralajmërimet e Hagel pasojnë deklaratën e kryeministrit të Polonisë dhe të NATO-s, që tha javën e kaluar se Rusia tani ka grumbulluar rreth 20,000 trupa në kufi, pas një shtimi të madh të tyre ditët e fundit.

Në një konferencë shtypi që mbajti presidenti Barack Obama, ai hodhi poshtë thirrjet për t’i dhënë Ukrainës ndihmë me armatime.

“Nëse Rusia do të fillonte pushtimin, puna do të ishte ndryshe. Por kjo nuk ka ndodhur ende”.

Obama tha se nevojitet më shumë kohë që të kenë rezultat sanksionet e vëna nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, e që synojnë të godasin fort ekonominë ruse.

“Ne po bëjmë pikërisht atë që duhet të bëjmë dhe jemi të kënaqur që me përpjekjet tona janë bashkuar aleatët evropianë dhe partnerët tanë”, tha presidenti.

Zyrtarët amerikanë thonë se më shqetësuese se sa numrat janë aftësitë e forcave ruse, gjë që e theksoi të martën zëdhënësi i Pentagonit, admirali John Kirby.

“Ata janë duke vazhduar t’i shtojnë forcat dhe kapacitetin e të gjitha forcave ushtarake të kombinuara rreth kufirit me Ukraninë: mjete të blinduara, të artilerisë, mbrojtjes ajrore, forca speciale”.

Zyrtarët rusë kanë kundërshtuar raundin e ri të sanksioneve ekonomike të fuqive ndërkombëtare dhe SHBA-së.

Në një bisedë telefonike të mërkurën me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidenti rus, Vladimir Putin shprehu shqetësim për atë që ato që ai i cilësoi “operacione ushtarake të vazhdueshme” të forcave ukrainase, duke fajësuar Perëndimin për “një shkallëzim të problemeve humanitare.”

Studiuesi për Rusinë, David Satter, i Institutit Hudson, thotë se të parashikosh veprimet e ardhshme të presidentit rus dhe aleatëve të tij është e vështirë, por mënyra se si ata veprojnë nuk është mister.

“Ata mund të përshkruhen me saktësi si një bandë me një politikë të jashtme. Ata nuk kanë ndonjë lloj vizioni strategjik përtej asaj që u duket e nevojshme për t’i mbajtur në pushtet”.

Zyrtarët rusë kanë ngritur mundësinë e dërgimit të paqeruajtësve në Ukraine, për të ndihmuar në qetësimin e situatës, diçka që si NATO, edhe zyrtarët amerikanë e shohin me dyshim – duke theksuar se Rusia njihet nga veprimet e së shkuarës, se i përdor paqeruajtësit si mbulesë për ndërhyrje të paligjshme ushtarake.

Pas aneksimit të krahinës ukrainase, Krimesë, nga ana e Rusisë, në muajin mars, situata në Ukrainë është përkeqësuar edhe më shumë në dy rajonet tjera me popullatë të përzier, ku separatist pro-rusë po luftojnë për të shpallur pavarësinë e dy rajoneve lindore, Donetsk dhe Luhansk.