Punëtorët e Tubave duan edhe kamatë, kërkojnë 35 milion euro
Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave po i kërkojnë nga shteti rreth 35 milionë euro. Rreth 25 milionë euro i përkojnë për vitet 90, dhe rreth 10 milionë euro në emër të kamatës për afro 12 vjet qëkur është lëshuar aktvendimi i Gjykatës së Ferizajt. AKP-ja po tenton që punëtorëve të mos ua paguajë kamatën dhe t’ia ndalë tatimet.

Lajme
Agjencia Kosovare e Privatizimit ende nuk e ka të qartë shumën që duhet t’ua paguajë punëtorëve të Fabrikës së Tubave, shkruan sot Koha Ditore
Ndërkohë ish-punëtorët, përveç shumës bazë prej 25 milionë eurove, po e kërkojnë edhe kamatën vjetore prej 3 për qind. E kamata vjetore prej vitit 2002 deri tash thonë se ka arritur në 10 milionë euro. Në total, 912 punëtorët presin që AKP-ja t’i derdhë në llogaritë e tyre rreth 35 milionë euro.
Në AKP nuk po japin asnjë shifër se sa do t’ua paguajnë këtyre punëtorëve që kanë hyrë në javën e shtatë të grevës para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Ata nuk kanë treguar se në bazë të cilës ekspertizë do t’ia ndajnë mjetet këtyre punëtorëve dhe as mënyrën e kalkulimit të tyre.
“AKP-ja po i bën llogaritjet në bazë të vendimeve të gjykatave, materialeve të dorëzuara në Autoritetin e Likudimit të Fabrikës së Tubave”, ka thënë zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi.
(Koha Ditore)