Gjermania marshon në gjysmëfinale
Gjermania është gjysmëfinalisti i parë i Kampionatit botëror në Brazil. Skuadra e Joachim Lowit mposhti Francën me rezultat 1:0, falë golit nga Mats Hummels.

Sport
Gjermania u kualifikua për në gjysmëfinale të Kampionatit botëror në Brazil. Skuadra e selektorit Joachim Low mposhti Francën me rezultat 1:0 dhe vazhdoi tutje.
Momenti që e vendosi ndeshjen erdhi herët në minutën e 13-të kur qendërmbrojtësi Mats Hummels shënoi me kokë pas një goditje të lirë të ekzekutuar në mënyrë mjeshtërore nga mesfushori Toni Kroos.
Karim Benzema pati disa mundësi të mira që të barazonte rezultatin për Francën, por hasi në mbrojtje të fortë të gjermanëve dhe siguri nga portieri Manuel Neuer.
Në gjysmëfinale, Gjermania do të ndeshet me fituesin e duelit mes Brazilit dhe Kolumbisë.