Reagon Athina: Nuk po kërkojmë naftë në ujërat shqiptare
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë tha se Greqia është treguar e kujdesshme në eksplorimin për naftë në det, duke mos dashur të shkaktojë probleme me vendet fqinje.

Lajme
Duke iu përgjigjur raportimeve në mediet shqiptare, ku thuhej se Greqia do të kërkojë për naftë në ujërat territoriale të Shqipërisë, zëdhënësi Konstantinos Koutras tha se Greqia respekton plotësisht Ligjin ndërkombëtar për Detin.
“Greqia respekton plotësisht Ligjin Ndërkombëtar për Detin. Jemi kujdesur që zonat ku do të kërkohet të mos shkaktojnë probleme me asnjë vend fqinj, përfshirë në këtë rast edhe Shqipërinë. Sigurisht që korniza jonë e referencës është gjithmonë pranimi i përbashkët dhe në respekt i Ligjit Ndërkombëtar të Detit”, tha ai.
Ditën e djeshme Ministria greke e Energjetikës bëri me dije se Greqia ka nisur kërkimet në detet e saj për naftë dhe gaz, duke vënë në dispozicion 20 zona kërkimi prej 225 mijë kilometrash katrorë, kurse mediet shqiptare e komentuar këtë si fakt se Greqia do të nxjerrë naftë e gaz edhe nga brezi detar që i takon Shqipërisë.