Thaçi i qetë, nuk i komenton përpjekjet e opozitës për të formuar qeverinë e re

Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, nuk i ka komentuar përpjekjet e opozitës për ta bllokuar formimin e qeverisë të kryesuar prej tij. 

Lajme

10/06/2014 16:07

Kryeministri në largim, partia e të cilit fitoi zgjedhjet parlamentare të 8 Qershorit, e ka vlerësuar lartë procesin zgjedhor.

“Ne kishim një mbledhje të rregullt të Kryesisë së PDK-së, partisë fituese në zgjedhjet e 8 qershor. E vlerësojmë lartë pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje. Zgjedhe fer, të lira dhe demokratike të standardeve perëndimore”, ka thënë kryeministri, raporton Telegrafi.

“Falënderojë BE-në dhe SHBA-në për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vlerësimin e tyre. Tash presim certifikimin zyrtarë të rezultatit zgjedhor dhe të shohim për hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë ai.

I pyetur nëse po frikësohet se mund të mbetet në opozitë në rast se partitë opozitare vendosin të mos bëjnë koalicion me PDK-në, Thaçi nuk është përgjigjur.

Ndryshe pas takimit me Kryesinë, pritet të fillojë takimi me të gjithë kandidatët e listës së PDK-së për deputetë.