Fushata, në kuadër të normales
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka thotë se fushata e deritashme elektorale është zhvilluar në suaza të normales.

Lajme
Në një intervistë dhënë për “Epoka e Re”, Daka thotë se deri më tani ajo nuk ka vërejtur që të jetë përdorur fjalor agresiv dhe se e vlerëson si një gjë të mirë që përfaqësuesit politik po ftojnë qytetarët që të dalin të votojnë më 8 qershor.
“Deri më tani nuk kam parë që ka pasur fjalor agresiv në kuadër të fushatës elektorale. Natyrisht se është fushatë dhe secili subjekt politik konsideron se është më i miri dhe se duhet të dalë fitues. Po ashtu, të gjithë përfaqësuesit e partive polikë u kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për të preferuarit e tyre. Prandaj, konsideroj se deri më tani është zhvilluar një fushatë në kuadër të normalesh dhe nuk ka diçka të jashtëzakonshme”.
Duke folur për sigurinë dhe për masat që janë marrë, Daka mendon se nuk ka indicie që incidentet që ndodhën në veri më 3 nëntor të vitit 2013 të përsëriten. Ajo po ashtu shprehet e bindur se popullata serbe atje do të dalë në zgjedhje.
“Nuk besoj se serbët e veriut do ta bojkotojnë procesin zgjedhor të së dielës. Jemi në bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me të gjitha institucionet kompetente për rend dhe siguri, sidomos me Policinë e Kosovës, e cila e ka planin operacional, i cili është duke u zbatuar ashtu siç është paraparë.”
Daka mendon se përmes K-VOTE rezultatet preliminare për subjektet politike mund të jepen brenda të dielës, ndërsa për votat për kandidat, procedura e nxjerrjes së rezultateve merr më shumë kohë.
“Tashmë kemi krijuar një përvojë me K-VOTE nga zgjedhjet e kaluara lokale, me ç’rast kemi dhënë rezultatet preliminare. Shpresoj shumë se brenda asaj nate do t’i kemi rezultatet e para preliminare sa iu përket subjekteve politike, ndërsa sa iu përket kandidatëve, rezultatet do të publikohen më vonë për shkak se është një procedurë më e gjatë, e cila kërkon më shumë angazhim për shkak të numrit të madh të kandidatëve”, ka thënë Valdete Daka për “Epoka e Re”.