Ronaldo do të mungojë në Botëror

Një mjek popullor ganez, Nana Kwaku Bonsam ka thënë se ka mallkuar yllin e Portugalisë, Cristiano Ronaldo në mënyrë që ai të mungojë në Kampionatin botëror në Brazil.

Sport

04/06/2014 19:43

Cristiano Ronaldo do të mungojë në Kampionatin botëror për shkak të një “lëndimi të pashërueshëm” të shkaktuar nga një mjek popullor ganez.

Nana Kwaku Bonsam ka theksuar se ka mallkuar yllin e Real Madridit në mënyrë që ai të mos luajë në garën më të rëndësishme të futbollit ndërkombëtar.

Ronaldo ishte pritur të luajë kundër Ganës për Portugalinë në fazën e grupeve të Kampionatit botëror mirëpo njoftimet e fundit sugjerojnë se ai rrezikon të mos paraqitet në këtë ballafaqim, por edhe në komplet garën në Brazil për shkak se vuan nga “dy lëndime të ndryshme”.

Mirëpo, sipas Bonsam, krejt kjo është rezultat i mallkimit që ia ka bërë futbollistit.

“E di se çfarë lëndimi ka Cristiano Ronaldo. Ky lëndim nuk mund të shërohet nga asnjë mjek, ata as nuk mund të gjejnë shkaktarin e lëndimit sepse është problem shpirtëror”, deklaroi Bonsam.

“E kam thënë edhe më parë se do të bëjë çmos që ai të mos luajë në Kampionatin botëror ose së paku kundër Ganës. E kam shumë seriozisht”, shtoi ai.

Drejtuesit e Portugalisë kanë theksuar se presin që Ronaldo të jetë i gatshëm për garën në Brazil, mirëpo Bonsam duket se planifikon të bëjë çmos që ai të mungojë.