Në kërkim të Superligës
Ferronikeli, Gjilani, Trepça dhe Llapi do ta kërkojnë Superligën këtë mesjavë, pas përballjes së tyre në ndeshjet e barazhit. Të martën do të luajnë Ferronikeli-Gjilani, kurse të mërkurën, Trepça-Llapi.
Sport
Katër skuadra do t’i kërkojnë dy vendet e lira që çojnë në Superligë për sezonin e ardhshëm, pas përballjes së tyre në Prishtinë, në ndeshjet e barazhit.
Të martën, Ferronikeli do të mundohet ta mposht Gjilanin, për të mbetur në elitën e futbollit kosovar. Mirëpo, edhe gjilanasit do të tentojnë të fitojnë, për t’u rikthyer në Superligë, pas qëndrimit në Ligën e Parë.
Ndërkaq, të mërkurën do të zhvillohet një tjetër ndeshje interesante. Llapi do ta kërkojë mrekullinë, për t’u inkuadruar në Superligë.
Por, për ta arritur këtë, llapjanëve iu duhet ta mundin Trepçën, e cila po ashtu ka synime të mbetet në elitë. Të dyja ndeshjet zhvillohen në kryeqytet, nga ora 17:00.
Siç dihet, nga Superliga kanë rënë Hysi dhe Fushë Kosova, kurse në vend të tyre sezonin tjetër do të jenë Istogu dhe Vëllaznimi.