Nëse AKR shkon me PDK-në, Bahtiri i bashkëngjitet LDK-së
Në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Aleanca e Behgjet Pacollit, duket se ka përplasje të brendshme. E krejt këto pakënaqësi i kanë ngjallë bisedimet për koalicione paszgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës.
Lajme
Burime të televizionit Rrokum brenda kësaj partie pohojnë se AKR është përcaktuar për të vazhduar bashkëqeverisjen me PDK, por me këtë nuk pajtohen të gjithë.
Madje thuhet se presidenti i AKR-së, Pacolli ka marrë ultimatum nga kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili përmes një letre ia ka bërë të qartë presidentit të tij se nëse arrin marrëveshje për koalicion me PDK-në, atëherë ai do ta lë AKR-në dhe do ti bashkëngjitet LDK-së.
Bahtiri ka konfirmuar për Rrokum se tashmë i ka dërguar letër shefit të partisë së tij, e cila ka të bëjë me lidhjen e koalicioneve paszgjedhore, ndonëse nuk ka dhënë shumë detaje për përmbajtjen e saj. Bahtiri, po ashtu, pranoi se mes tij e AKR-së nuk është duke shkuar gjithçka mirë.
Ekipi i këtij televizioni ka provuar të marrë përgjigje në zyrat qendrore të AKR-së lidhur me këtë, por nuk ia ka dalë, me arsyetimin se nuk kanë çka të komentojnë për këtë çështje.