Haradinaj: Duhet ta bëjmë ushtrinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dhënë edhe njëherë mbështetje të fuqishme krijimit të ushtrisë së Kosovës, duke thënë e Forcat e Armatosura të Kosovës janë hapi i fundit i krijimit të shtetit të Kosovës dhe se kjo nuk guxon të ketë alternativë.

Lajme

05/05/2014 15:43

Haradinaj i ka bërë këto komnete të hënën gjatë vizitës në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku është pritur nga komandanti i saj, gjeneral-nënkolonel Kadri Kastrati.

“Shteti sovran dhe i pavarur duhet të ketë ushtri”, ka thënë ish-kryeministri Haradinaj.

“Aleanca e mbështetë fuqishëm themelimin e Forcave të Armatosura dhe nuk kalkulon çmim drejt këtij synimi, aq më pak kur çmimi është kalimtar”, ka thënë ai.

“Aleanca ka plan të detajuar politik për qeverisjen e ardhshme 4-vjeçare dhe për avancimin dhe rolin e forcave të armatosura. Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë ushtri profesionale e aftë për t’u ballafaquar me sfidat e sigurisë në të cilat do të hasë Kosova dhe e aftë për të marrë pjesë në misione të përbashkëta me aleatët. Kosova me ushtrinë e vet do të jetë faktor i fuqishëm i paqes në rajon dhe më gjerë”.

“Ne nuk mjaftohemi që të jemi vetëm përfitues nga ombrella e NATO-s në rajon. Ne synojmë të jemi kontribuues aktivë i kësaj ombrelle, në partneritet të plotë me miqtë dhe Aleatët tanë të NATO-s”.

“Ne do të synojmë anëtarësimin e plotë në NATO, por paraprakisht duhet t\’i kryejmë detyrat tona të brendshme”, ka thënë Haradinaj.