Anton Berisha: Mustafa, humbësi më i madh në politikë
Anton Berisha, i cili kishte aderuar nga LDK në AAK, thotë se me ardhjen e Mustafës në krye të LDK-së, ai ka shkatërruar gjithë sistemin e strukturës së partisë. Berisha beson se vetëm Ramush Haradinaj mund të çojë vendin përpara.

Lajme
Anton Berisha, i cili më parë ka qenë në LDK, por tash e sa kohë është në AAK, thotë se koalicioni qeverisës duhet të shkojë në një pushim opozitar, meqë opozita i ka bërë mirë edhe subjektit në të cilin është vet Berisha, AAK-së.
“7 vite udhëheqje të këtij koalicioni me vendin janë larg asaj që dëshiron jo vetëm AAK-ja por edhe çdo qytetar i Kosovës”.
Anton Berisha, duke folur për skenën politike aktuale në Kosovë në TV Dukagjini, tha se vetëm Ramush Haradinaj ka energji ti çojë proceset përpara, ashtu siç pret popullata dhe siç presin edhe shtetet mike të Kosovës.
Berisha, i cili me ardhjen e Haradinajt nga Haga kishte braktisur LDK-në, bashkëpartiakun e tij të dikurshëm, sot kryetar i LDK-së, Isa Mustafën e ka quajtur humbësin më të madh politik.
“Në koalicionin që kishim PDK-LDK, Sejdiu e dobësoi LDK-në, ndërsa Mustafa e shkatërroi sistemin e strukturës në LDK. Mustafa është humbës i katapultuar nga një këshilltar në kryetar partie dhe performancat e tij pas humbjes edhe të Prishtinës janë hendikep sot për LDK-në”, vlerësoi Berisha.
Anëtari i kryesisë qendrore të AAK-së, Berisha i ka bërë edhe një krahasim liderit të tij, Ramush Haradinaj, duke e krahasuar atë me Ibrahim Rugovën, si dy figura që gjithmonë parim e kanë pasur angazhimin shtetëror dhe për vendin e jo për partinë.