Sundimi i ligjit, parakusht për zhvillim ekonomik

Sundimi i ligjit është i rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe pa përmbarim të ligjit është vështirë të drejtohet biznesi, u tha në tryezën me temë \"Qite n\'letër\", të organizuar nga programi i USAID-it për përmbarim dhe legjislacion komercial për komunitetin e bizneseve.

Lajme

29/04/2014 20:58

David Greer, nga USAID, tha se ata që krijojnë vende pune dhe që iu ofrojnë mallra e shërbime bashkëqytetarëve tuaj janë arsyeja pse USAID-i po investon aq shumë për të siguruar përmirësim të vazhdueshëm të mjedisit afarist dhe të sundimit të ligjit.

Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson theksoi se sot, përveç që po shënohet 15 vjetori e USAID-it, po shënohet edhe fillimi i bashkëpunimit shumë të ngushtë të të gjithëve drejt arritjes së synimeve të përbashkëta, mundësive dhe prosperitetit më të madh për të gjithë.

Gjatë kësaj tryeze diskutimet u fokusuan në kontratat e negociuara, të kuptuara dhe të shkruara, të cilat shpjegojnë, përkufizojnë dhe rregullojnë transaksionet. Përveç kësaj iu kushtua mjaft kohë edhe shpjegimit të opsioneve në dispozicion për zgjidhjen alternative të kontesteve – ndërmjetësimi dhe arbitrazhi, dhe zhvillimet në procedurat e përmbarimit të aktgjykimeve.

USAID-i punon në përkrahje të gjykatave, mekanizmave për zgjidhje alternative të kontesteve dhe për zhvillimin e mëtejmë të infrastrukturës ligjore, tha Grrer, por shtoi se  USAID-i e di se ndonjëherë informatat rreth këtyre ndryshimeve arrijnë ngadalë. Andaj, punëtoritë si kjo e sotmja synojnë përditësimin e informatave për bizneset me qëllim të shmangies më të lehtë të problemeve të zakonshme në praktikën e kontratave.