Garë për ushtarin më të mirë të FSK-së

Ushtarë të FSK-së po marrin pjesë në garën për ushtarin më të mirë të FSK-së, ku për tre ditë do të garojnë në disiplina të ndryshme. Gjenerali Kadri Kastrati tha se synimi i FSK-së është që një të ardhme të marr pjesë në operacione paqeruajtëse nëpër botë, nën ombrellën e NATO-s.

Lajme

29/04/2014 19:32

Në ambientet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), në Ferizaj, po mbahen garat për zgjedhjen e ushtarit më të mirë të FSK-së.

Për të parë nga afër këtë garë, ishte i pranishëm komandanti i FSK-së Gjeneral-lejtënant, Kadri Kastrati së bashku me komandantin e KDS-së, Gjeneral brigade Enver Cikaqin, si dhe oficerë të lartë të FSK-së.

Me këtë rast, komandanti i FSK-së, Gjenerali Kastrati, i ka përgëzuar pjesëtarët e FSK-së për organizimin dhe angazhimin e tyre maksimal dhe korrekt, në garën për zgjedhjen e ushtarit më të mirë të FSK-së.

Kastrati tha se kjo garë po mbahet për herë të parë tek ne, dhe se ngjarje tw tilla organizohen nga çdo ushtri, por me emër tjetër.

“Unë besoj, se në të ardhmen e afërt edhe ne do të vazhdojmë me organizimin e garave të tilla”.

“Qëllimi ynë është përgatitja sa më e mirë e pjesëtarëve të FSK-së, sepse në të ardhmen, synimi yni është të marrin pjesë në operacione paqeruajtëse, qofshin ato humanitare apo paqësore, me qëllim të ruajtjes së paqes në botë, që synojmë të ecim krah për krah me shtetet e NATO-s dhe me shtet tjera që marrin pjesë në këto operacione”, tha Gjeneral-lejtënant, Kadri Kastrati.

Gara ka filluar dje dhe vazhdon për tri ditë, deri në finalizimin e saj, ku po marrin pjesë 22 pjesëtarë të të gjitha njësive të FSK-së.

Ditën e parë janë mbajtur garat në këto diciplina: Tekstim fizik, navigim tokësor ditën-natën, pastaj, tekstimin e njohurive të përgjithshme. Sot ka vazhduar garimi në gjuajtje me armë të gjata, dhe nesër garimi vazhdon në poligonin me pengesa dhe marshimin me ngarkesa.