Gërmimet në Rudnicë po ecin mirë
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe kryesuesi i grupit kosovar, Arsim Gërxhaliu ka thënë se puna në Rudnicë të Rashkës, për gjetjen e personave të zhdukur, po shkon mirë.
Lajme
Ai përmes rrjetit social Facebook ka publikuar disa fotografi nga vendi i ngjarjes dhe ka treguar se megjithë reshjet e shiut, ata vazhdojnë punën me kujdes.
“Edhe sot, në ditën e dytë puna po ecën mirë. Edhe pse shiu po na përcjellë vazhdimisht, me kujdesin maksimal po e shënojmë terrenin”, ka shkruar ai në Facebook.
Dje, është rrënuar ndërtesa e cila ishte e ndërtuar mbi një varrezë masive të shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.
Në këtë varrezë besohet se janë trupat e rreth 250 shqiptarëve të zhdukur që nga lufta e fundit.
(KosovaPress)