Kandidatët për trajner të Barcelonës
Barcelona është hedhur në kërkim të një trajneri të ri, në vend të Gerardo Martinos i cili do të largohet nga detyra në fund të sezonit. Aktualisht qarkullojnë katër emra si kandidatë të mundshëm.
Sport
Pas humbjes në finalen e Copa del Rey nga Real Madrid, tanimë konsiderohet si i sigurt largimi i Gerardo Martinos nga posti i trajnerit të Barcelonës, pas përfundimit të këtij sezoni.
Sipas të përditshmes sportive katalane Mundo Deportivo, drejtori sportiv Andoni Zubizarreta ka filluar të konsiderojë disa emra që kanë depërtuar si kandidatët kryesorë për pasardhës të strategut argjentinas.
Në mesin e më të përmendurve për trajner të ri të Barcelonës janë, strategu i Athletic Bilbaos, Ernesto Valverde, ai i Ajaxit, Frank de Boer, ish mesfushori i Barcelonës, Luis Enrique i cili drejton Celta Vigon dhe timonieri i Rayo Vallecanos, Paco Jemez.
Barcelona u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, humbi finalen e Copa del Rey kurse aktualisht është në pozitën e tretë në La Ligë me shumë telashe për të mbrojtur titullin e kampionit.