800 mijë euro/ “Beni Dona” e Ragip Mustafës së LDK-së shpërblehet edhe me një tender tjetër me procedurë të negociuar

Policia e Kosovës ka lidhur kontratë për shërbime ushqimore në vlerë të parashikuar prej 800 mijë eurosh me kompaninë “Beni Dona Plast” SH.P.K., në pronësi të biznesmenit dhe anëtarit të LDK-së, Ragip Mustafa. Bëhet fjalë për kontratën me titull “Shërbimet emergjente me Ushqim (Furnizim, Përgatitje dhe Servim) për nevojat e PK-së”, e cila është zhvilluar…

Lajme

14/09/2026 13:13

Policia e Kosovës ka lidhur kontratë për shërbime ushqimore në vlerë të parashikuar prej 800 mijë eurosh me kompaninë “Beni Dona Plast” SH.P.K., në pronësi të biznesmenit dhe anëtarit të LDK-së, Ragip Mustafa.

Bëhet fjalë për kontratën me titull “Shërbimet emergjente me Ushqim (Furnizim, Përgatitje dhe Servim) për nevojat e PK-së”, e cila është zhvilluar përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Të dhënat zyrtare të platformës së prokurimit tregojnë se vlera e parashikuar e kontratës është 800 mijë euro.

Sipas njoftimit zyrtar, Policia e Kosovës është autoriteti kontraktues, ndërsa kontrata është e kategorisë së shërbimeve dhe lidhet me furnizimin, përgatitjen dhe servimin e ushqimit për nevojat e Policisë.

Procedura është regjistruar me numrin 2026/214/30400-26-7299-2-1-5/B52-0019222, ndërsa njoftimi për nënshkrimin e kontratës është publikuar më 9 shtator 2026. Në të njëjtën procedurë, platforma tregon se njoftimi për dhënien e kontratës ishte publikuar më 7 shtator.

Në dokumentin e vendimit të autoritetit kontraktues, të cilin e ke siguruar, “Beni Dona Plast” figuron si operatori ekonomik pjesëmarrës, ndërsa oferta e saj është paraqitur me çmim prej 52.36 euro për njësi. Dokumenti po ashtu tregon se Policia e Kosovës e ka anuluar një aktivitet të mëparshëm të prokurimit për këtë shërbim dhe më pas procedura ka vazhduar në formën e kontratës emergjente.

Kompania “Beni Dona Plast” është e lidhur me biznesmenin Ragip Mustafa, i cili ka qenë i angazhuar politikisht në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kontrata e re vjen në një kohë kur “Beni Dona Plast” ka vazhduar të jetë përfituese e kontratave publike për shërbime ushqimore. Në shkurt të vitit 2026, Policia e Kosovës kishte lidhur me kompaninë një tjetër kontratë emergjente, në vlerë prej rreth 650 mijë eurosh, për furnizim me ushqim.

Kështu, vetëm brenda vitit 2026, dokumentet dhe raportimet e publikuara tregojnë për kontrata të njëpasnjëshme ndërmjet Policisë së Kosovës dhe kompanisë së lidhur me Ragip Mustafën, në një fushë ku institucionet publike kanë nevojë për furnizim të vazhdueshëm me ushqim.

Detajet e dosjes dhe përfshirja e tenderëve të kaluar:

Dosja e tenderit tregon se policia po kontrakton përgatitjen, furnizimin dhe servimin e ushqimit. Ushqimi do të përgatitet në kampet Vrella dhe Belvedere, por operatori duhet të jetë në gjendje të ofrojë ushqim edhe në terren, në gjithë territorin e Kosovës, sipas kërkesave të Policisë. Në Belvedere pajisjet e kuzhinës janë të Policisë, ndërsa në Vrellë operatori duhet ta sigurojë komplet kuzhinën për përgatitjen e ushqimit.

Lista e ushqimeve është e gjerë dhe ndahet në pako të ndryshme. Ajo përfshin, ndër të tjera, racione me mish viçi, pasul me mish, makarona boloneze, peshk, bukë integrale, ujë, lëngje, fruta, sallata dhe produkte të tjera ushqimore. Tenderi është konceptuar si kontratë publike kornizë me çmime për njësi, që do të thotë se sasitë janë indikative dhe Policia bën porosi sipas nevojës.

Shërbimet nuk kufizohen vetëm në dy kampet. Sipas dokumentacionit, furnizimi me ushqim duhet të mundësohet në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë stacionet policore me qendra të mbajtjes, ndërsa operatori duhet të jetë në dispozicion edhe për nevojat e Policisë në terren.

Kontrata emergjente është paraparë të zgjasë gjashtë muaj nga hyrja në fuqi. Megjithatë, Policia ka përcaktuar se ajo mund të ndërpritet automatikisht nëse ndërkohë nënshkruhet kontrata që zhvillohet përmes procedurës së hapur të prokurimit, pa të drejtë kompensimi për operatorin aktual.

Kontrata emergjente vjen pas anulimit të tenderit 2.7 milionësh, OSHP kishte kritikuar Policinë për zvarritje dhe procedura të vazhdueshme emergjente

Kontrata emergjente gjashtëmujore për ushqim që Policia e Kosovës ia ka dhënë kompanisë “Beni Dona Plast” vjen pas një historie të gjatë me procedurën e rregullt të prokurimit për të njëjtat shërbime.

Policia kishte hapur fillimisht një procedurë të rregullt për “Shërbimet me Ushqim (Furnizim, Përgatitje dhe Servim) për nevojat e PK-së”, me vlerë të parashikuar prej 2.7 milionë eurosh. Megjithatë, më 27 shkurt 2026, aktiviteti ishte anuluar me arsyetimin se nuk kishte mbetur asnjë ofertë e përgjegjshme.

Një nga operatorët pjesëmarrës ishte pikërisht “Beni Dona Plast”. Policia e kishte eliminuar kompaninë duke pretenduar se ajo kishte ofruar çmime “shumë herë më të larta” se çmimet reale të tregut. Sipas qëndrimit të Policisë të paraqitur para OSHP-së, një hulumtim i tregut kishte konstatuar se oferta e kompanisë ishte rreth 30 për qind më e lartë se çmimet reale të tregut.

“Beni Dona Plast” ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Në maj, OSHP-ja vendosi që anulimi i procedurës nga Policia të mbetej në fuqi, por njëkohësisht i dha Policisë një vërejtje të fortë për mënyrën se si ishte menaxhuar ky prokurim.

Paneli Shqyrtues vuri në pah edhe një kundërthënie: sipas vendimit, Policia kishte pranuar çmime më të larta nga i njëjti operator në procedura të mëparshme të negociuara pa publikim, ndërsa në procedurën e hapur disa prej këtyre çmimeve i kishte konsideruar të larta krahasuar me tregun. OSHP-ja e cilësoi si të papranueshme që për disa artikuj çmime më të larta të pranoheshin në procedurën e negociuar, ndërsa të konsideroheshin të larta në procedurën e hapur.

Edhe më e rëndësishme, OSHP-ja kritikoi Policinë për prolongimin e procedurës së hapur, duke konstatuar se, në mungesë të kontratave të rregullta, Policia kishte vazhduar me inicimin e procedurave emergjente. Paneli tha se veprime të tilla të vazhdueshme “cenojnë parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme”, ndërsa vërejtjen e cilësoi si të fundit.

Pavarësisht kësaj historie, më 28 gusht 2026 Policia ka hapur përsëri tenderin e rregullt për të njëjtat shërbime. Edhe ky është përcaktuar si ritender, ndërsa kontrata publike kornizë parashihet të zgjasë 36 muaj. Vlera e parashikuar e këtij ritenderimi është sërish 2.7 milionë euro, ndërsa procedura është e hapur./Lajmi.net/