7 institucionet publike ku punëtorët paguhen nën pagën minimale

Për 17 vite, Hakif Sylejmani siguron hapësirat e Klinikës së Psikiatrisë. Madje ai shpeshherë këtu punon edhe 12 orë. Për punën që bënë ai merr 297 euro, pagë kjo e cila është më e ulët se paga minimale me vendim të Qeverisë së Kosovës. E këto para, Sylejmanit nuk po dalin as për shpenzimet personale…

Lajme

02/02/2025 21:35

Për 17 vite, Hakif Sylejmani siguron hapësirat e Klinikës së Psikiatrisë.

Madje ai shpeshherë këtu punon edhe 12 orë.

Për punën që bënë ai merr 297 euro, pagë kjo e cila është më e ulët se paga minimale me vendim të Qeverisë së Kosovës.

E këto para, Sylejmanit nuk po dalin as për shpenzimet personale të cilat  ka.

“Kjo veç për veti nuk është e mjaftueshme për me mbajt familje a diçka, më shumë se një fëmijë nuk mundet të ja del. Të vështira i kemi disa klinika sepse janë me rrezikshmëri të lartë, e kemi për shembull psikiatrinë, është emergjenca psikiatrike është psikiatria  e fëmijëve por kurrë nuk jemi të stimuluar si punëtorë që jemi”, tregon ai.

Andaj Sylejmani i cili është përfaqësues i sindikatës së punëtorëve të sigurimit fizikë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka kritika për qeverisjen aktuale.

“Me ketë qeverinë që është tash kjo na ka premtuar që në sektor publik nuk ka me pas sektor privat edhe veç prej sektorit privat ndihmën që e ka pas për mu zgjidh kryeministër Albin Kurti,  por nuk na ka gëzu atë ëndërr që na ka premtuar”, thotë Sylejmani i cili punon si sigurim në QKUK.

E jo vetëm në QKUK, edhe në gjashtë institucione të tjera punëtorët teknik e të sigurimit fizik paguhen nën 350 euro.

Në Entin e statistikave, Qendrën Studentore, Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë e Suharekë e në Universitetin e Prishtinës këta punëtorë kanë pagë nën minimalen.

Për këtë nga Sindikata e Sektorit Privat kanë dorëzuar ankesë edhe në Inspektoratin e Punës.

“Të njëjta kompani i kemi drejtuar tek Inspektorati i Punës  dhe normal që në momentin kur ne bëjmë një kërkesë Inspektorati i Punës për zhvillimin e punëve që bënë ai ka afat një muaj  dhe ne jemi ende në kuadër të atij afati.  Por si pas njohurive dhe të ekspertëve të kësaj lëmie është thënë që vendimi i nxjerrë nga kryeministri për pagën minimale është jo legjitim dhe nuk e obligon asnjë kompani të zbatojë”, ka thënë Jusuf Azemi.

Nga Inspektorati i Punës i kanë thënë televizionit se janë duke vazhduar mbikëqyrja e vendimit të qeverisë për pagën minimale dhe janë duke u ndërmarrë masat e parapara për kompanitë që nuk zbatojnë këtë vendim.