Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës ka vlerësuar lart gjetjet e raportit rajonal “SecuriMeter 2025”, të realizuar nga Regional Cooperation Council, i cili mat perceptimin e qytetarëve për sigurinë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas komunikatës së MPB-së, 64% e qytetarëve në Kosovë deklarojnë se ndihen të sigurt, duke e renditur vendin me nivelin më të lartë të perceptimit të sigurisë personale në rajon. Raporti thekson se, ndryshe nga disa vende të tjera të rajonit që kanë shënuar rënie të ndjesisë së sigurisë, Kosova vazhdon të dallohet për stabilitet dhe besim në institucionet e saj të sigurisë.
Në raport evidentohet gjithashtu vlerësimi i lartë për prezencën dhe patrullimet policore në hapësirat publike, si dhe niveli më i ulët në rajon i perceptimit për ndërhyrje të padrejta të institucioneve të sigurisë në jetën private. Sipas të dhënave, besimi i qytetarëve në polici është 70.6%, ndërsa në ushtri 74.6%, çka, sipas MPB-së, dëshmon profesionalizmin dhe integritetin e institucioneve të sigurisë.
Sa i përket aspektit ekonomik dhe social, 58.4% e qytetarëve e konsiderojnë Kosovën vend të sigurt për të jetuar, ndërsa 80.5% deklarojnë se nuk kanë plan të emigrojnë, duke shënuar rritje krahasuar me vitet paraprake.
Në raport thuhet gjithashtu se qytetarët në Kosovë shfaqin nivelin më të ulët të shqetësimit në rajon lidhur me qeverisjen, korrupsionin dhe ndikimet e jashtme, duke reflektuar përmirësim të perceptimit për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Një tjetër gjetje e rëndësishme është se qytetarët nuk e perceptojnë ardhjen e të huajve si kërcënim për sigurinë apo stabilitetin ekonomik. Gjatë vitit 2024 janë lëshuar 8,293 leje qëndrimi për shtetas të huaj, prej të cilave 3,974 për qëllime punësimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane të menaxhimit të migracionit.
Raporti konstaton gjithashtu orientimin e qartë strategjik të qytetarëve drejt integrimit euro-atlantik, me 71.0% mbështetje për anëtarësim në Bashkimi Evropian dhe 90.8% për anëtarësim në NATO.
MPB thekson se do të vazhdojë të thellojë reformat në sektorin e sigurisë, të forcojë sundimin e ligjit dhe të garantojë siguri dhe barazi për të gjithë qytetarët, me synim një Kosovë të sigurt, demokratike dhe të integruar në strukturat euro-atlantike. /Lajmi.net/