63 minatorët e bllokuar dalin nga miniera e Trepçës, të gjithë janë mirë me shëndet

Të 63 minatorët që kishin mbetur të ngujuar mbrëmë në minierën e Stan Tërgut, pas ndërprerjes së energjisë elektrike, kanë dalë nga miniera rreth orës 02:45 të mëngjesit të sotëm. Drejtori i minierës së Stan Tërgut, Shyqyri Sadiku, ka konfirmuar se të gjithë minatorët kanë dalë dhe se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.…

Lajme

08/10/2026 08:52

Të 63 minatorët që kishin mbetur të ngujuar mbrëmë në minierën e Stan Tërgut, pas ndërprerjes së energjisë elektrike, kanë dalë nga miniera rreth orës 02:45 të mëngjesit të sotëm.

Drejtori i minierës së Stan Tërgut, Shyqyri Sadiku, ka konfirmuar se të gjithë minatorët kanë dalë dhe se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

“Po, kanë dalë në 02:45 të mëngjesit. Mirë është gjendja e tyre shëndetësore”, tha Sadiku.

Minatorët e ndërrimit të dytë kishin mbetur të ngujuar në horizontet e minierës, pasi ndërprerja e energjisë elektrike kishte pamundësuar daljen e tyre në mënyrë të zakonshme.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Ibrahim Januzi, kishte konfirmuar mbrëmë  se bëhej fjalë për punëtorët e ndërrimit të dytë.

“Po, ndërrimi i dytë. Janë komplet miniera, ndërrimi i dytë. Ata janë ende në orarin e kohës së punës”, kishte thënë Januzi.

Për shkak të mungesës së energjisë elektrike, minatorët kishin nisur të dilnin përmes shkallëve emergjente.

Në vendngjarje kishin qenë të pranishme edhe ekipet mjekësore, ndërsa fillimisht ishte raportuar se 63 minatorë kishin mbetur të ngujuar brenda minierës.