550 VJET ZI E FESTË PËR GJERGJ KASTRIOTIN

Gjergj Kastrioti ishte finalizuesi politik dhe kulturor i identitetit arbëror në Mesjetë.

Lajme

17/01/2018 16:50

Ashtu siç bënte “Renesansa” pas Dantes në Florenc, Venedik e gjithandej duke italianizuar jetën dhe lirinë e saj; ashtu siç do bënte vite më vonë Lutheri duke gjermanizuar madje edhe vetë biblën arameiko-hebreje të latinizuar; ashtu siç bënte e gjithë fryma e botës, e cila sapo kishte nisur prodhimin industrial të librit dhe dijes, që hapëronte drejt ndarjes nga perandoritë e mëdha, shtypëse e shfarosëse e gjuhë-artificiale, duke ecur drejt kulturave e identiteteve të veçanta; ashtu edhe Gjergj Kastrioti kishte vendosur ta mbijetojë dhe garantojë historikisht kulturën nga vinte – atë arbëroren.

Nga ky vullkan kohe lindi edhe identiteti kulturor dhe politik arbëror, shqiptar e që sot i ka dy shtete për vete, është njësi konstitutive autoktone e kompakte e katër shteteve tjera në rajon; ka dy migracione po aq autotkone e të mëdha në Itali dhe Turqi si dhe diasporën milionëshe të shpërndarë kryesisht sferës oksidentale të globit.

Gjitha këto hapësira, gjithë këta njerëz janë sot të kulturës dhe identitetit shqiptar ngase dikur ishte Gjergj Kastrioti alias Skënderbeu që luftonte për lirinë e popujve të rajonit nga zgjedha e egër osmane.

Shqiptari lindi bashkë me luftën për lirinë e vetes dhe tjerëve.

Pra jo si ushtar për të futur tjerët në robëri. Kjo ka shumë rëndësi. Prandaj Gjergj Kastrioti njëkohësisht është edhe kryevepra ndër shekuj e aq shumë gjenish gjuhësh e kulturash të veçanta që lumojnë në atë universalen nëpërmjet emrit të tij – që tashmë nuk është vetëm kodi i ekzistencës shqiptare por edhe i gjitha atyre që respektojnë, duan dhe çmojnë lirinë e popujve dhe bukurinë e identiteteve kulturore.

Gjergj Kastrioti i mbiquajturi Skënderbeu mund të lindte vetëm nga gjiri i një kulture të madhe, të thellë, të lashtë, nga ato të llojit që lirinë e kanë kryezotin e tyre e që mund t’i shërbejnë vetëm ashtu siç bëri Gjergji e asnjëherë ndryshe. 

Prandaj sa të jetë njeriu me pasionin për liri, do të jetë edhe Gjergji, e sa të jetë Gjergji do të jetë edhe shqiptari me kulturën dhe identitetin e tij.