500 mijë euro dëme nga reshjet në Prishtinë

Vlera e dëmeve të shkaktuara nga reshjet e shiut të muajit të kaluar në Prishtinë, si në pronë private, toka bujqësore dhe në infrastrukturë publike është diku rreth 500 mijë euro.

Lajme

18/05/2014 20:35

Drejtori i Komisionit Vlerësues Ibush Kelmendi, tregon se dëmet më të ëmdha kanë qenë në kulturat bujqësore dhe në infrastrukturë.

“I kemi diku 180 mijë euro dëme në kulturat bujqësore në familjet e qytetarëve të Komunës së Prishtinës dhe diku 380 mijë euro dëme në infrastrukturë duke përfshirë rrugët dhe një pjesë e urave të cilat janë dëmtuar në vërshimet që kanë ndodhur më 19, 20 dhe 21 prill të këtij viti. Janë në shifër prej gjysmë milionë euro të cilat janë dëme të vlerësuara nga komisioni. Ne si komision do ta bëjmë raportin vlerësues”.

Sipas Kelmendit ky nuk do të jetë raporti përfundimtar sepse ankesa nga qytetarët po vijnë. Ai thotë se rajoni më i dëmtuar është fshati Barilevë ndërsa më e prekura nga kulturat bujqësore është patatja.

Po, nuk është vetëm Prishtina që është prekur nga këto reshje. Dëme të mëdha ka pasur edhe në Gjilan Vushtrri, Lipjan etj, por që këto komuna, përkundër Prishtinës nuk kanë kërkuar mbështetje nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave.