5 viktima nga stuhia e dëborës në SHBA, autoritetet shpallin gjendje të jashtëzakonshme
Të paktën 8 shtete amerikane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të stuhive të dëborës, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe të plagosur. Të paktën 5 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar si pasojë e një stuhie të madhe dëbore që ka përfshirë disa shtete në Shtetet e Bashkuara të…
Bota
Të paktën 8 shtete amerikane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të stuhive të dëborës, të cilat kanë shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Të paktën 5 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar si pasojë e një stuhie të madhe dëbore që ka përfshirë disa shtete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike.
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA vlerëson se rreth 60 milionë njerëz janë prekur nga stuhia. Një vorbull polare që nisi në jug gjatë fundjavës shkaktoi dëborë dhe erë të fuqishme.
Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në shtetet e Kansasit, Missourit, Marylandit, Kentucky-t, Virginias, Virginias Perëndimore, Arkansasit, Washingtonit dhe në një pjesë të New Jersey.
Shkollat u mbyllën në shumë qytete. Miliona studentë u detyruan të qëndronin në shtëpi. Të paktën 250,000 shtëpi mbetën pa energji pasi erërat e forta dëmtuan infrastrukturën.
Një shtresë e hollë akulli mbulon shumë rrugë dhe autostrada, çka ka shkaktuar një numër të madh aksidentesh rrugore. Stuhitë detyruan gjithashtu mijëra avionë të pezullojnë fluturime.
Stuhia parashikohet të lëvizë drejt lindjes në Oqeanin Atlantik. Temperaturat pritet të mbeten nën zero deri në fund të kësaj jave.
Vorbulla polare e ajrit jashtëzakonisht të ftohtë zakonisht rrotullohet rreth Polit të Veriut, por ndonjëherë drejtohet drejt jugut në Kanada dhe SHBA, Evropë dhe Azi. Studimet kanë zbuluar se një Arktik që ngrohet shpejt është pjesërisht shkaktar për frekuencën në rritje të vorbullave polare që zgjerojnë shtrirjen e tyre.