Ibrahimi, AKK: Komunat nga viti i ardhshëm do t’i kenë mungesë 50 milionë euro

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se nëse komunat e Kosovës bëjnë faljen e tatimit në pronë në vlerën prej 100 eurove, do të humbin rreth 28 milionë euro investime kapitale. Ai tha se edhe me vendimin e Gjykatës Supreme që komunat do të duhet që t’i kompensojnë mësimdhënësit në…

Lajme

02/12/2023 10:42

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se nëse komunat e Kosovës bëjnë faljen e tatimit në pronë në vlerën prej 100 eurove, do të humbin rreth 28 milionë euro investime kapitale.

Ai tha se edhe me vendimin e Gjykatës Supreme që komunat do të duhet që t’i kompensojnë mësimdhënësit në bazë të kontratës kolektive, sipas tij, nëse edhe kjo ekzekutohet atëherë komunave padrejtësisht do ti merren mbi 25 milionë euro nga të hyrat komunale, transmeton lajmi.net.

Ibrahimi shtoi se nga këto dy vendim komunat e Kosovës do të humbasin mbi 50 milionë euro, ku për këtë ai ka thënë se nuk janë duke gjetur përkrahje nga niveli qendror dhe se kërkesat e komunave janë qe dëmet financiare të cilat burojnë nga kontratat kolektive të mbulohen nga niveli qendrorë.

Ibrahimi ka thënë se nga mungesa e 28 milionë eurove që mund të kenë komunat nga falja e tatimit në pronë, do të pësojnë qytetarët.

“Në bazë të informatave që kemi nga komunat e Kosovës nëse komunat e Kosovës vendosin që të bëjnë një veprim të tillë, pra që ti falin tatim paguesit deri në vlerën e 100 eurove për faktuarat e tatimit në pronë, atëherë komunat do të kenë mangut vitin e ardhshëm rreth 28 milion euro. Duke marr parasysh që të hyrat vetanake përkthen në investime kapitale, atëherë nënkuptohet që me automatizëm komunat vitin e ardhshëm do të kenë mangut rreth 28 milion euro në investime kapitale. Këto investime kapitale qytetarët nuk do ti shohin. Çdo investim kapital ka impakt në përmirësimin e jetës se qytetarit”, tha ai për EO.

Ibrahimi ka thënë se edhe nga vendimi i GjykatëS Supreme bazuar në kontrata kolektive të arsimit ku mësimdhënësit duhet të kompensohen sa i përket licencimit të tyre dhe normës së inflacionit, sipas tij, komunave padrejtësisht do t’i merren edhe mbi 25 milionë euro nga të hyrat dhe se vitin e ardhshëm do t’i kenë mungesë mbi 50 milionë euro.

Kontrata kolektive parasheh disa përfitime financiare për punonjësit e arsimit – nga pagesa për shujtat ushqimore apo për shpenzimet e udhëtimit deri te paga shtesë pas pensionimit. Me ligj, këto përfitime duhet të paguhen nga komunat, të cilat janë punëdhënës të punëtorëve të arsimit. Por, qeveritë e deritashme qendrore nuk u kanë dhënë atyre buxhet shtesë për këtë qëllim.

Kështu, punonjësit që nuk kanë përfituar, u janë drejtuar gjykatave, dhe kur rasti është përmbyllur në favor të tyre, ata kanë arritur ta nxjerrin kompensimin nga buxheti i komunës.

“Tash e kemi edhe problemin tjetër, në tetor të këtij viti Gjykata Suprem doli me një mendim juridik bazuar në kontrata kolektive e arsimit ku mësimdhënësit duhet të kompensohen sa i përket licensimit të tyre dhe normës së inflacionit. Në bazë të shënimeve që i kemi nëse ky mendim ekzekutohet atëherë komunave padrejtësisht do t’i merren mbi 25 milionë euro nga të hyrat komunale. Do të thotë kontratat kolektive janë të nënshkruar nga niveli qendror dhe komunave po i merren mjetet financiare padrejtësisht. Nëse 28 milionë euro do të kenë mangu nga falja e tatimit në pronë, shto këtë edhe mbi 25-26 milionë nga mendimi juridik që pasoj financiare do të ketë jashtëzakonisht shumë në nivelin lokal, atëherë do të kalojmë mbi 50 milionë”.

“Kemi kërkuar me ngul që të gjitha pasojat financiare nga kontrata kolektive të mbulohen financiarisht nga niveli qendrorë, mirëpo nuk kemi gjetur përkrahje. Qasja e nivelit qendror ndaj komunave nuk është e drejtë dhe komunat po shihen në atë kuptimin të harruara për përkrahje financiare në zbutjen e këtyre problemeve”, tha ai.

Kryetari i AKK-së ka thënë se buxheti i ndarë për komunat për vitin e ardhshëm nuk ka ndonjë rritje enorme dhe se pjesa më e madhe e buxhetit shkon për paga, mallra e shërbime të tjera.

“Edhe pse thuhet që buxheti ndaj komunave është rritur përqindja, është që 22.6 për qind e buxhetit total të Kosovës do të shkojë për komunat e Kosovës, nuk është ndonjë rritje enorme krahasim me vitet e kaluar. Nëse e marrim dhe e bëjmë krahasimin me vitin 2021 në atë kohë buxheti i cili është ndarë për komunat e Kosovës ka qenë 22.1 për qind e buxhetit total të Kosovës. Kurse në vitin e ardhshëm do të jetë 22.6, do të thotë nuk është ndonjë rritje enorme. Kjo rritje është bërë më së shumti për mbulimin e kostos financiare që buron nga ligji për paga. I kemi tri grante, granti i përgjithshme, granti për shëndetësi dhe arsim”.

“Zgjidhja është që të gjitha dëmet financiare kushtimisht të them të cilat burojnë nga kontratat kolektive të mbulohen nga niveli qendrorë sepse niveli qendror është nënshkruesi i kontratës, nuk janë komunat. Paret që janë dakorduar për kontratë kolektive janë ministritë e linjës dhe sindikatat përkatëse, nuk janë komunat. Komunave padrejtësisht po ju merren këto mjete financiare”, tha ai.